Koopman: Nëse Kosova dhe Serbia i normalizojnë raportet, përfitojnë miliona euro

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka raportuar të premten në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane. Aty me deputetët ka debatuar e polemizuar për çështje të ndryshme përfshirë dialogun me Serbinë. Por, vetë Bislimi në fjalën e tij i ka dhënë theks te “Plani i Rritjes” nga i cili tha se Kosova për 4 vjet i përfiton 950 milionë euro. Por, zyrtari i BE-së Gert Koopman tha se Kosova dhe Serbia këto para do t’i marrin nën kushte specifike – angazhim konstruktiv në normalizim të raporteve.

Komisioni Evropian në nëntor të vitit të kaluar miratoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, me synimin që ta nis rritjen ekonomive të rajonit para anëtarësimit. Sipas Brukselit Plani  “duhet të jetë t’u mundësojë partnerëve të rrisin reformat dhe investimet për të përshpejtuar ndjeshëm shpejtësinë e procesit të zgjerimit dhe rritjen e ekonomive të tyre”. Plani vlen për periudhën 2024 -2027 ndërsa vendet e rajonit pagesat do t’i pranojnë pas plotësimit të kushteve të caktuara.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrime Evropiane tregoi çfarë pret Kosova.

“Ky plan do t’i sjellë rajonit rreth 6 miliardë euro, ndërsa Kosova përfiton rreth 950 milionë euro brenda 4 viteve në grante dhe kredi apo kredi që janë me koncesion apo me kushte të volitshme. Kjo njëherit përbën shumën më të madhe që Kosova ka pranuar dhe pranon ndonjëherë nga BE brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore”, ka theksuar Bislimi.

Ai madje tha se qeveria e mbështet qasjen kushtëzuese të BE’së, ndërsa kërkoi që ajo t’ia heq masat represive Kosovës, sic i quajti ai.

“Ne e mbështesim plotësisht qasjen që kushtëzon fondet e BE-së me pranimin e vlerave të BE-së, meqenëse si e tillë ajo rrit përfitimet për të gjithë qytetarët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe në të njëjtën kohë përshpejton anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian për ata që janë me të vërtetë të përkushtuar në këtë rrugëtim”, ka shtuar Bislimi.

Pikërisht për këtë Drejtori i Përgjithshëm i BE-së në Negociatat për Zgjerim dhe Fqinjësi, Gert Jan Koopman, gjatë një diskutimi të zhvilluar të mërkurën në Komisionin e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Buxhet ka thënë se fondet e Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të Ballkanit Perëndimor, mund të shfrytëzohen vetëm nëse respektohen kushtet dhe në rast të përdorimit të jashtëligjshëm të tyre, vendet do të detyrohen t’i kthejnë ato.

Ai ka thënë se pagesat nga Plani për rritje ekonomike do të kryhen vetëm pasi të ketë dëshmi se janë ndërmarrë reformat e nevojshme. Nga gjashtë vendet e rajonit kërkohet që të kenë plan të veprimit për reforma, dhe përmbushja e tyre do të vlerësohet dy herë në vit.

Duke folur për kushtet, ai ka përmendur sidomos sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe respektimin e vlerave demokratike.

Ndërsa Koopman ka thënë se Kosova dhe Serbia do të kenë kushte specifike e ato lidhen me raportet mes tyre.

“Kushtet specifike do të jenë për Kosovën dhe Serbinë, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e raporteve. Kjo do të bëhet në mënyrë individuale për secilin nga këto dy vende. Me fjalë tjera, nëse njëri vend nuk avancon, vendi tjetër nuk do të pengohet, nëse avancon në reforma”.

Sipas Komisionit Evropian, gjysma e mjeteve nga Plani për rritje në rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të shkojnë në kuadër të kornizës për investime, sepse mjetet ekzistuese që janë në dispozicion, nuk janë të mjaftueshme për t’i kryer investimet e duhura.

Pjesa tjetër do të shkojë direkt në buxhetin e vendeve, për të financuar disa nga reformat e nevojshme.

Koopman ka treguar se modeli do të jetë i thjeshtëzuar, për t’iu përshtatur Ballkanit Perëndimor, por duke respektuar edhe rregullat e BE-së.

Komisioni Evropian beson se ky plan – nga i cili do të ndahen mjete specifike për secilin vend – do të ndryshojë shumë rajonin e Ballkanit dhe do të jetë gjenerator për rritje të konsiderueshme ekonomike.

“Pa rritje të konsiderueshme ekonomike, rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk do të mund të avancojë në arritjen e qëllimeve për integrim në BE“, ka thënë ky zyrtar i BE-së.

Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian ka sqaruar se një pjesë e mjeteve financiare do t’iu jepen vendeve të rajonit si asistencë pa kthim dhe një pjesë do të jetë në formën e kredive të favorshme.

Ai ka thënë se këto kredi janë të domosdoshme, pasi vendet e rajonit nuk kanë mundësi që në tregun ndërkombëtar të sigurojnë kredi me kushte të favorshme.

Disa deputetë kanë kërkuar që nga këto mjete të përfitojnë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, organizatat joqeveritare e jo që ato të përdoren për forcimin e strukturave politike

Mes tjerash, është kërkuar që fondet të orientohen drejt adresimit të sfidave demografike dhe largimit të të rinjve.

Bislimi ndërkaq ka thënë se Qeveria më 22 janar ia dorëzuar BE’së listën e reformave nga Plani i Rritjes. Ndërkohë që kryeministri Kurti gjatë takimi të 6 liderëve të Ballkanit Perëndimor në Shkup ka thënë se ndërkaq në ditët në vijim, do të dorëzohet lista e projekteve indikative.

Lajmet Koopman: Nëse Kosova dhe Serbia i normalizojnë raportet, përfitojnë miliona euro >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>