Kolgeci merr drejtimin e Federatës së Hendbollit, zbulon objektivat për këtë sport

Edin Kolgeci ka marrë drejtimin e Federatës së Hendbollit të Kosovës (FHK) duke e pasuar Eugen Saraqinin. Kolgeci mori besimin e shumicës së delegatëve të kësaj federate në Kuvendin Zgjedhor më 30 janar.
Në intervistën e tij të parë si kryetar i kësaj federate, të dhënë për KosovaPress, Kolgeci ka folur për punët që e presin menjëherë në javët në vazhdim, duke nisur me dy eventet ndërkombëtare në Prishtinë – kampionatet IHF Trophy për grup-moshat U18 dhe U20, evente këto që Federata Evropiane ia ka besuar FHK-së.
“Tani kemi arritur prapë ta marrim organizimin, e kemi fituar besimin e plotë të Federatës edhe Evropiane edhe të asaj ndërkombëtare pasi na e kanë dhënë prapë organizmin e IHF Trophy për U18 dhe U20 që është gjë e mirë, prandaj edhe kemi insistuar, sepse kemi rast që të kualifikohemi me U18 prapë me një kampionat botëror dhe dihet që nëpër kampionatet botërore edhe në të kaluarën kanë marrë pjesë vetëm hendbolli me ekipet e tij”, tha Kolgeci.
Angazhim direkt do të ketë edhe në lidhje me Kombëtaren A të Hendbollit e cila është në rrugëtimin e saj për kualifikim në kampionatin evropian dhe në muajin mars janë dy ndeshjet vendimtare kundër Ukrainës. Kolgeci shprehet i bindur se mund të arrihet ky sukses nëse lojtarët japin gjithçka nga vetja.
“Pasi ke marrë një rezultat të mirë me një superfuqi si Holanda ndaj së cilës kemi marrë një pikë, e po të kishim fat do t’i merrnim të dy pikët, mirëpo fati nuk ishte në anën tonë. Tani duhet të luftojmë që t’i kemi dy fitore kundër Ukrainës. Do të jetë e vështirë, mirëpo nëse angazhimi do të jetë në nivel për të luajtur për shtetin, për flamurin dhe kombëtaren me gjithë zemër, atëherë besoj që do të kemi rast të jemi në evropian edhe me Kombëtaren A”, tha Kolgeci.
Sa i përket objektivave afatgjata, Kolgeci thotë se në këtë mandat do të punojë që sporti i hendbollit të futet në shkollat fillore përmes kurrikulës mësimore.
“Kemi një master-plan me Ministrinë e Arsimit, atë të Sportit, Federatën e Sportit Shkollor dhe Federatën e Hendbollit të Kosovës që ta fusim hendbollin në shkolla, do të thotë do të jetë nëpër kurrikulat e shkollave tek arsimtarët e Edukatës Fizike dhe do të mundohemi të investojmë sa më shumë në hendboll për fëmijët nëpër shkolla dhe mandej do të bëjmë klasifikimet në turne të ndryshme ndërmjet shkollave, qyteteve në të gjitha gjeneratat”, tha Kolgeci.
Ai ka kritikuar institucionet shtetërore për mungesë të investimeve të nevojshme në infrastrukturë edhe pas 26 vjet pas luftës.
“26 vjet pas lufte, të flasim për infrastrukturë është shumë e dhimbshme. 26 vjet nuk është investuar në sport sa duhet. Të flasim 26 vjet pas lufte, apo në festimin e 17-vjetorit të pavarësisë që ne të kemi këso probleme për palestra, salla e infrastrukturë, është e dhimbshme…Normal që duhet të shihen mundësitë dhe të kapim shansin që çdo sport, e sidomos hendbolli të shihet për të investuar sa më shumë në infrastrukturë”, tha Kolgeci.
Brenda pak muajsh, Federata e Hendbolli mori dy lajme të hidhura, vdekjen e sekretarit Izet Gjinovci si dhe zyrtaren financiare Valbona Mehmeti. Këto dy humbje, Kolgeci i konsideron të mëdha për hendbollin dhe sportin e Kosovës.
“Sa herë që e përmendi sekretarin Izet Gjinovci, unë sidomos që nga fëmijëria e kam njohur, ai përveç që ka qenë ikonë e hendbollit, sa herë që flas për Izetin unë prekem, që e ka shty hendbollin për të arritur sot ku jemi…Për Izetin, përveç që ka qenë ikonë e hendbollit ka qenë edhe ikonë e qytetit. Njëjtë edhe zonja Valbonë që ka ndërruar jetë…edhe ajo që një grua që ka qenë këtu kontribut-dhënëse shumë e madhe në hendboll në këtë zyrë për më shumë se 20 vjet dhe humbjet si kjo dhe të gjitha humbjet që i kemi pasur janë të mëdha edhe për hendbollin dhe qytetarët”, tha Kolgeci.
Në mandatin e tij të parë si kryetar Kolgeci ka thënë se do të përkushtohet edhe në aspektin e rritjes së kualitetit të trajnerëve dhe gjyqtarëve, duke sjellë në Kosovë seminare të ndryshme ndërkombëtare që kontribuojnë në avancimin e punës së tyre./kp