“Kjo xhami e Namazgjasë është tani vend i shenjtë”, Rama: Faleminderit miku im Erdogan!
Me praninë e Presidentit të Turqisë, Rerxhep Taip Erdogan, i cili është edhe financuesi kryesor i xhamisë së Namazgjasë, pasditen e kësaj të enjteje është bërë inaugurimi i këtij objekti kulti.
Kreu i qevrisë Edi Rama tha se përfundimi dhe hapja e kësaj xhamie tani i jep domethënie katrorit të katër faltoreve të kryeqytetit, duke përmbyllur kështu skicën e flamurit shpirtëror.
Xhamia e Namazgjasë është tani një vend i shenjtë, theksoi shefi i qeverisë, duke shprehur mirënjohjen për komuniteti mysliman turk, i cili mundësoi mjetet për komunitetin shqiptar që kjo xhami të ndërtohej.
Rama tha se ndër breza do të flitet për lidhjen e pazgjidhshme që ekziston mes Shqiëprisë dhe Turqisë mike.
Edi Rama: Kjo xhami i jep domethënien katrotit të katër faltoreve të kryeqytetit duke e përmbyllur skicën e këtij flamuri shpirtëror. Flamur që lind Shënd Kostandinin, pajton islamin dhe krishtërimin, shpall midis feve vëllazërimin, flamur bujar për njerëzimin. Si çdo faltore tjetër e këtij vendi ku gjen paqe çdo shqiptar që i falet zotit të vet, kjo xhami e Namazgjasë është tani një vend i shenjtë. Këtij vendi nuk mund t’i këndohet sot më mirë se sa në shqipen e Haxhi Afiz Ibrahim Dalliu.
Le të hyjmë sot këtu me këmbën e mbarë dhe me fjalën në ungjill të Isait “Paqja e Zotit qoftë me të”. Në shtëpinë e madhe të Atit ka banesa të shumta. Faleminderit dhe mirënjohje zoti President i Turqisë, miku im gjithnjë i mirëseardhur në Shqipëri. Në shtëpinë tonë të vogël ku ka banesa të shumta, për përkushtimin tënd vëllazëror për t’iu përgjigjur lutjeve të komunitetit mysliman shqiptar, duke u bërë zëri i thirrjes për komunitetin mysliman turk i cili i dha bashkësisë shqiptare mjetet e nevojshme për ndërtimin e kësaj xhamie, e cila ndër breza do ta dëshmojë gjestin tuaj dhe do t’i flasë për lidhjen mes dy vendeve tona.
U priftë e mbara në familjet e tyre të gjitha familjeve myslimane në Shqipëri. Zoti e Bekoftë Shqipërinë dhe na ndihmoftë në rrugën tonë pa kthim drejt majës ku duam dhe do ta ngjisim flamurin e Skënderbetut dhe Ismail Qemalit.
Për menaxhimin e xhamisë së ndërtuar si një kompleks multifunksional që do t’u shërbejë edhe qytetarëve të tjerë, sikurse edhe turistëve, do të ngrihet një Fondacion, në krye të të cilit do të jetë imami i Xhamisë së Namazgjasë, Gazment Teqja në përbërje të të cilit mund të ketë edhe përfaqësues nga Turqia. Në Xhami do të mund të falin namazin 10.000 besimtarë në të njëjtën kohë./vizionplus.tv