Kimete Berisha: Kërrsh!

1. Po më hidhet t’i bashkëngjitem protestës së studentëve në Beograd….
e të shfryhem njëherë e mirë.
– Pas dorëheqjes së qeverisë së tij, në një konferencë, Aleksandër Vuçiç u tha serbëve:
– ‘Ju nuk e dini se sa shumë janë gëzuar shqiptarët dhe kroatët që ne po bëhemi kërrsh mes vete’.
– Ama, nuk është e vërtetë, se portalet e shqiptarëve as që po merren me Vuçiçin dhe me protestat në Serbi.
Bile as që e konsiderojnë ‘armik’!
– E kanë portalet shqip armikun e tyre të preferuar!
– Duke treguar se ‘yjet’ e protestës së studentëve janë kriminelë, Vuçiç u ankua se njëfarë krimineli i njohur (zvezdë e protestës), i ka quajtur ‘teze’ gratë e partisë së tij, merre me mend, dhe ua ka përmendur organet gjenitale!
– Potere e madhe.
Vuçiç e përmendi edhe ngjarjen e rëndë që kish ndodhur në Novi Sad, ku tha se është gjetur një lepur i ‘varur’.
– Serbët janë shumë të zemëruar, tha.
– E që Serbia i ka dalë nga dora, tregoi vet, kur tha, se:
– ‘Çkado që të bëjnë protestuesit, mos i ndalni. Ua lëshoni udhën, le të bëjnë çfarë të duan, le t’shkatërrojnë…!
– Prandaj pata qejf të shkoj në Beograd…, për të thyer e kërrshitur, se, më duket u kam treguar që e kam pasion të thyej, shkaku i atij tingullit që krijohet nga përplasja…rram pa pa pam.
2. Në minutën e 19-të dhe në sekondin e 47-të të konferencës, Aleksandër Vuçiç e thotë fjalë për fjalë ‘thënien’ e famshme të Albin Kurtit:
– ‘Nuk mundet askush të më detyroj, ndoshta edhe mundet, por…së pari duhet të më vras mua’.
– E pamundur pa e përmendur vrasjen…ky..
3. Edhe Albin Kurti dje në Suharekë (që s’doli bir mamaje që zyrtarisht e bën Therandë), e përmendi ‘vdekjen’…
– Tha: ‘Armiku s’ka qejf të vijë të vdes në Kosovë…, kur ta kuptojë se kemi shumë pushkë!
– Prandaj, pushkë para bukës, pushkë pas bukës .
– Kryeministri e përshkruan pushkën si një grua magjepsëse, si Queen Amina of Zazzau për shembull, të cilën anipse meshkujt e dinin se nëse flejnë me të, ua këput kryet, ata flenin me të.
– Albin Kurti po na e shishmon pushkën…!
4. Bukur dramatike ishte edhe një ‘thënie’ e Ramush Haradinajt, tjetër gjë që ju s’e merrni seriozisht.
– Ndonëse, burrat shqiptarë kohëve të fundit shumë po llomotisin, kurrë nuk u pushon goja,…
– Dikur duhej t’i bëje rixha një mashkulli për t’ia nxjerr një fjalë dykuptimëshe…!
– Ramush Haradinaj tha se
‘Amerika është shumë e shqetësuar për shkak të agjendave të fshehura të Albin Kurtit’.
– Demek, ky jo, s’është i shqetësuar, se trim, nuk e bën hesap Albin Kurtin, ama Amerika, është e shqetësuar, se Albini misterioz, Amerika nuk arrin dot ta dekodojë.
– Mirë që ky s’e ka kryer gjimnazin, se sikur ta kishte kryer gjimnazin si shokët e shoqet, peshë do ta çonte shkollën…
paralelen I do ta fuste në konflikt me paralelen II, derisa kujdestarja e klasës, e cila nëse s’do të kishte qëlluar ‘biç’, do të kishte pasur agjenda të fshehura kundër gjimnazit.
5. S’ma thotë mendja se e keni vërejtur ju se si sheshi Nëna Terezë u bë Odë e burrave.
– Pleqnarët shëtitës, japin nasihat me zë të lartë, për të gjitha temat ofrojnë zgjidhje, sidomos për politikë.
– Më së shumti rrahet çështja Albin Kurti dhe përmendet Hashim Thaçi.
– Të tjerët nuk i njeh kush.
– Pata rastin ta dëgjoj një pleqnar kur deklaroi dje se si ka qenë provokim që Albin Kurti ka shkuar në Deçan te Ramushi.
– Gra pleqnare nuk ka, edhe ato flasin në shesh me zë të lartë, por kryesisht ankohen, për punët e shtëpisë që nuk kryhen kurrë, dhe qajnë për fatin… si dhe shoshisin tema të tjera, prapa shpinës!
6. Me kimik në dorë, që e mbante si shpritzin, Albulena Haxhiu e ka postuar një foto me setër të bardhë, që e bënte të dukej si motër medicinale (ama, motra kryesore),
që në raste të veçanta u jep vipave ‘nekcija’.
– Albulena e ka udhëhequr me sukses Drejtësinë mafioze, por tash Albin Kurti do t’ia marojë një Drejtësi të Re, ku i pari që do t’i bëj sekuestro do të jetë ministri i tij, Romeo II.
7. E mua rrugës po më lëshojnë fjalë të rënda: ‘Albin Luani’, ‘ Albin Baba’, e vajzat në thellësi të shpirtit janë më të liga sipas Niçes, prandaj shih për këtë ato po m’i lëshojnë disa fjalë edhe më të ulëta për nga thellësia.
– Njëra i tha shoqes së saj derisa më shikonte mua në drita të syve:
– ‘Albini i fiton 700 mijë vota, kismet’….
– ‘A po e njeh këtë (për mua)’!
– Unë u buzëqesh këtyre ‘provokimeve’, sepse e kuptoj dashurinë.
– Kur dikush e do dikë, nuk mund t’ia heqësh dashurinë për të veç pse ti ke qejf…
Bile sa më shumë mundohesh, aq më shumë i motivon të bëhen protektivë ndaj dashurisë së tyre.
– Dashuria për Albin Kurtin varet nga Albin Kurti!
8. Ndjeja sikur shiu i lante mendimet e mia të errëta për këtë vend, dhe ajri i freskët e ftohte gjakun tim që po shkon duke u nxehur, gjithnjë.
– Për të mos i mbetur dikujt në dorë, shkova në kishë për t’u lutur diçka lidhur me një rast,
ndërsa një djalë që e pastronte oborrin e kishës me shlllaf, më pyeti:
– ‘Pse moj s’po bëhesh deputete.
Goxha e përgatitur je’.
– Unë, për t’u dukur normale, gjithmonë aktroj mirësi, dhe gati kurrë s’e kam përnjëmend kur shkrihem nga dashuria…
prandaj, nuk i thashë çfarë mendova, por, si gjithnjë u shkriva:
– ‘Oh. faleminderit shumë’! …
– I kisha pas mbyllur aq fort sytë kur jam lutur, sa kur i rihapa, m’u duk sikur dola nga një zarf me dhurata!
– Djaloshi, anipse i dhënë mbas shllafit, më tha ‘ditën e mirë’!
9. Ndërkohë që dola nga kisha, Artane Rizvanolli, veç e kish pas dërguar Albin Kurtin në një fabrikë të rrobaqepësisë, e kish rrethuar me kukulla.
– Kukullat cullak nuk i kishin veshur, si mesazh i lirisë njerëzore, dhe prandaj kukullat dukeshin si mikatesha që i kishin vargisur në rend për ta pritur Albin Kurtin, cullak pra.
– Kryeministri evokoi kujtime për kohët e vuajtura, kur nanat tona (sidomos e imja) ua rrotullonin varfanjakëve shqiptarë jakët e bardha të këmishave pasi që njërën palë të jakës së këmishës e shterte koha…!
10. Enver Hoxhaj e kish pas falsifikuar edhe Diellin në foto (ngaqë qielli me shi dukej i portokalltë), kur foli në emër të Qafës së Duhlës, dhe tha që Mali me Mal nuk bashkohen, por zemrat takohen një
ditë.
– Rram-bam, Jo veç Kosova, por edhe Bedri Hamza mundet má mirë’!
10. Sot Lumir Abdixhiku prej meje e ka ditë pushimi!
P.S. Lexojeni dy herë, se ndoshta nuk e kam mirë!
Lajmet Kimete Berisha: Kërrsh! >> Rahoveci INFO.