Këshilli i Etikës rekomandon degradimin e profesorit Hasani, ai thotë se kjo është vepër e huliganëve
Të premtën Këshilli i Etikës (KE) i Universitetit të Prishtinës i ka rekomanduar Senatit uljen e gradës akademike për Enver Hasanin nga profesor i rregullt në profesor të asocuar. Rekomandimin e Këshillit të Etikës.
Po ashtu , Këshilli i Etikës ka rekomanduar edhe revokimin e mirënjohjeve dhe privilegjeve të Hasanit si ish-rektor i UP-së, mohimin e pjesëmarrjes së Hasanit në komisione profesionale për tri vjet si dhe mospërfshirjen në mentorim të të gjitha niveleve për një vit vijues duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
Përveç këtyre Këshilli i Etikës ka paraqitur vërejtje me shkrim për Hasanin që të përmbahet nga çfarëdo “gjuhe e papërshtatshme, fyese, pa takt akademik dhe denigrues ndaj personelit dhe punëdhënësit të UP-së”.
E gjitha këto Enver Hasani ka thënë se janë “vepër të dy huliganëve, Avni Pukës dhe Iset Morinës”.
“Vendimi është vepër e dy huliganëve, Avni Pukës dhe Iset Morinës, që synon mbylljen e gojës sime në publik. Jam i sigurt që as Senati dhe as instancat tjera juridike nuk mund të miratojnë një vendim të tillë hakmarrjeje dhe i marr arbitrarisht nga Iset Morina në shkelje të plotë të konfliktit të interesit. Ndaj Isetit do bëj një kallëzim penal javën që vjen, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare”, ka thënë ai në një përgjigje për rtv21.
Ai ka shtuar se ky vendim do të mbahet mend në analet e historisë së Universitetit të Prishtinës
“siç mbahen mend vendimet për eliminimin e profesorëve të UP gjatë atyre që njihen si diferencime ideo-politike kur eliminohej administrativisht elita e këtij vendi”, ka thënë Hasani.
Si arsyetim, Këshilli i Etikës ka thënë se Hasani nuk e ka mbajtur në vitin akademik 2023/2024 asnjë ligjëratë të vetme dhe se nuk ka pasur leje apo lirim për mosmbajtje të mësimit. Po ashtu ky këshill ka thënë se ka konstatuar që Hasani ka marrë gradën e profesorit të rregullt në kundërshtim me Statutin e UP-së. Në pikën e tretë të denoncimit, Këshilli i Etikës ka thënë se Hasani në deklarimet publike në media elektronike e audiovizuele ka shkelur rëndë rregullat bazike të etikës për stafin akademik të UP-së. Derisa ky këshill ka konstatuar se ndërprerja punës do të mund të konsiderohej joproporcionale me shkeljet e konstatuara./21Media