Kërkohet të ketë sërish rritje të pensioneve për personat me aftësi të kufizuar
Nevoja e miratimit të Konventës për personat me aftësi të kufizuar, përkrahja e tyre për aftësim dhe punësim si dhe mundësia për rishikimin e pensionit për këtë kategori ishin ndër çështjet që u diskutuan sot në konferencën përmbyllëse me temë “Avancimi i politikave për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë”.
Zëvendësministri i Ministrisë së Financave Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna tha se pavarësisht reformave dhe hapave të ndërmarrë, sfidat ende janë të pranishme për fuqizimin e kësaj kategorie.
“Politikat dhe reformat që po adresojmë janë thelbësore për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mundësive të barabarta për personat me aftësi të kufizuara por edhe për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin dhe siguron të gjithë individët të jenë të garantuar që të jenë të barabartë në shoqërinë tonë… Kemi bërë një përparim të konsiderueshëm në kuadër të reformave ligjore dhe institucionale për personat me aftësi të kufizuar, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përfshirjen e kategorive të qytetarëve për politikat publike dhe ekonomike. Megjithatë, sfidat ende mbeten dhe kemi shumë për të bërë”, tha Dobruna.
Ndërkaq, nënkryetarja e komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Albana Bytyçi kërkoi nga zëvendësministri i Financave, Agon Dobruna që të zotohet për të bërë një rishikim të buxhetit për paga për personat me aftësi të kufizuara.
“Është shumë e rëndësishme edhe paga mujore që po e merrni ju si persona. Ne e dimë tash jeta sa e shtrenjtë është bërë, kisha kërkuar nga zëvendësministri që të bëhet një rishikim për shkak se paga nuk është e mjaftueshme. Unë e ceka që kam pasur takime që një prind e ka paguar një asistent vetë deri në 500 euro minimumi…Kisha kërkuar sot dhe ndoshta pak një zotim nga zëvendësministri që të bëhet një rishikim te buxhetit për këto paga. Dhe një kërkesë tjetër që e kam pasur shumë shpesh nëpër takime ku janë të përfshira të gjitha kategoritë si personat me aftësi të kufizuara, me autizëm dhe personat e verbër, janë të gjitha të përfshirë në një kategori. Kisha kërkuar që mos të përfshihen të gjitha kategoritë në një busollë”, tha Bytyçi.
Përveç kësaj, Bytyçi u shpreh pesimiste se miratimi i Konventës për Personat me Aftësi të Kufizuar do të bëhet në këtë legjislaturë.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku theksoi si të nevojshme përkrahjen e personave me aftësi të kufizuar për aftësim dhe punësim.
“Kuvendi i Kosovës ka bërë një përpjekje shumë serioze me miratimin e amendamentit kushtetues për përfshirjen e konventës së Kombeve të Bashkuara për aftësinë e kufizuar dhe kryetari i Kuvendit ia ka dërguar gjykatës kushtetuese për ta verifikuar pajtueshmërinë me kushtetutën e Kosovës…Është shumë e nevojshme që të përkrahet edhe aftësimi dhe të nxisim punësimin e personave të cilët janë të shkolluar, kanë aftësi të ndryshme dhe kudo që sot ata punojnë prijnë në atë që janë punëtorët më të mire. Ne duhet të punojmë si për aftësimin e tyre profesional, por edhe vazhdimisht në të gjitha kurrikulat nga Ministria e Arsimit…Shërbimet në shëndetësi sidomos pjesa e rehabilitimit është shumë e nevojshme dhe ne jemi vazhdimisht duke punuar edhe tek ligji i ri për shëndetësi që ta ketë një pjesë të veçantë dhe ligjet tjera”, potencoi Kollçaku.
Në anën tjetër, kryesuesja e grupit avokues të prindërve me fëmijë me aftësi të kufizuar, Afërdita Gashi ka pyetur zëvendësministrin Dobruna se pse rritja prej 20 për qind e pensioneve nuk ka përfshirë edhe çmimin për barnat.
“Rritja lineare e pensioneve në Kosovë…Ne e dimë që shkalla e parë e personave më aftësi të kufizuar të personave para tetralegjikë është 375 euro, 150 i ka personi, 150 kujdestari dhe 75 janë për barna që iu duhen…Pse rritja dhe përqindja është prek vetëm tek numri 300, pse nuk është hyrë te 75 euro”, pyeti Gashi.
Lidhur me këtë, Dobruna tha se mund të ketë pasur gabime në kalkulim.
“Ne në të gjitha kategoritë kemi rritur, kemi bërë rritjen e përgjithshme me vendim të përgjithshëm për 20 për qind për të gjitha kategoritë. Për këtë çështje, që unë konsideroj që është teknike por është shumë e domosdoshme që të dihet do ta keni shumë shpejtë këtë sqarim…Mundet të ketë problem në kalkulim, sa i përket pjesës teknike”, u përgjigj Dobruna.
Qeveria e Kosovë nga muaji tetor ka rritur për 20 për qind të gjitha pensionet, duke përfshirë pensionin bazik të moshës, pensionin kontribut-pagues të plotë dhe parcial, pensionin e aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe të rritur, pensionin për personat e verbër, pensionin për personat paraplegjik dhe tetraplegjik, pensionin familjar, pensionin invalidor të punës dhe pensionin e parakohshëm për punëtorët e Trepçës.