Kërkohet përfshirja e lëndës së edukatës seksuale në kurikulën shkollore

Organizata “Humanus Vita”, ka prezantuar të gjeturat rreth hulumtimit dhe observimit të temave të edukatës seksuale në lëndën e biologjisë së klasës së tetë të shkollave fillore në Drenas.
Projekti “Sfidimi i stereotipave dhe normave gjinore drejt arritjes së barazisë gjinore në edukim” mbështetet nga Rrjeti i Grave të Kosovës dhe financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar.
Doruntina Gashi, nga organizata “Humanus Vita”, tha se edukimi seksual në vend nuk ekziston si lëndë e veçantë në kurrikulën bërthamë, por është e përfshirë në kuadër të lëndëve biologjia dhe natyre.
Sipas saj edukimi seksual shpeshherë konsiderohet tabu dhe mbesin sipërfaqësisht apo shkarazi të elaboruara.
Hulumtuesja Valentina Bejtullahu, tha se mësimdhënësit janë të pajtimit që lënda e edukatës seksuale të përfshihet si lëndë e veçantë në kurikulën shkollore.
Sipas saj temat më pak të trajtuara mbeten dhuna seksuale dhe ngacmimi seksual.
Ajo shtoi se mësimdhënësit besojnë se temat e edukatës seksuale duhet tê shpjegohen vetëm në klasat e shtata deri te e nënta.
Derisa sipas mësimdhënëse, nxënësit (djemtë) shumë herë pengojnë procesin e shpjegimit të temave nga pyetjet provokative.
Laura Vrellaku Pasjaqa, nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Drenasit vlerësoi lartë të gjeturat e hulumtimit, të cilat do të shërbejnë për mësimdhënësit e komunës.
Ajo tregoi se qëndrojnë mirë sa i përket infrastrukturës shkollore dhe sa i përket edhe temave të edukatës seksuale. /Kosova.info/