Keçi nuk e fsheh optimizmin, beson që Kosova mund të jetë në “Poreçi 2023”

Përfaqësuesja e Kosovës U19 ka kaluar në “Main Round” për kualifikimet e Kampionatit Evropian “Poreçi 2023” në futsall. Dardanët e drejtuar nga Suad Keçi së pari barazuan 3:3 me Gjermaninë, e pastaj shënuan fitore ndaj Maqedonisë së Veriut, me rezultat 6:3.

Në një bisedë për Rahoveci.INFO, përzgjedhësi Keçi, është shprehur i kënaqur me atë që treguan futbollistët e tij.
“Në të tria përfaqësueset, pothuaj 90 për qind e lojtarëve ishin futbollistë që luajnë futboll të madh dhe kjo shkakton problem. Megjithatë, duke iu falënderuar FFK-së dhe presidentit Agim Ademi, ne i patëm dhjetë ditë stërvitje të përbashkëta dhe gjatë asaj kohe ia dolëm të komponohemi mjaft mirë”, ka thënë Keçi për Rahoveci.INFO.

Ai nuk është shprehur i befasuar me kalimin e grupit dhe kualifikimit në Main Round.

“E kam parashikuar që për tri përfaqësueset gjasat janë 50:50. Pas barazimit me Gjermaninë, ndeshja me Maqedoninë e Veriut ishte përcaktuese. Nuk e nisëm mirë ndeshjen dhe në pjesën e parë ishim në disavantazh me 0:2. Megjithatë, në vazhdim djemtë reaguan shumë mirë dhe në fund fituam me rezultat 6:3, duke e siguruar edhe kualifikimin në Main Roun”, është shprehur Keçi.

Numri një i bankinës së Dardanëve është optimist se mund të kalohet edhe pengesa e radhës dhe Kosova të jetë në Kampionatin Evropian “Poreçi 2023”.

Për të arritur deri atje, Dardanët duhet të renditen të parët në përballjet me Portugalinë, Sllovakinë dhe Bjellorusinë.

“Ndeshjet zhvillohen në Portugali nga 21-26 mars. Është e qartë se përballë do të kemi rivalë të fortë, por ne do të punojmë me përkushtimin më të madh dhe shpresojmë që edhe atje të kemi rezultate të mira e pse jo edhe të sigurojmë kualifikimin”, ka thënë Suad Keçi për Rahoveci.INFO, duke mos e fshehur optimizmin.  

Lajmet Keçi nuk e fsheh optimizmin, beson që Kosova mund të jetë në “Poreçi 2023” >> Rahoveci.INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!