Kamberi reagon pas dorëheqjes së Vuçeviq: Këto lëvizje duhet parë me kujdes

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pas dorëheqjes së kryeministrit serb Millosh Vuçeviq, duke thënë se dorëheqja e tij pas dy muajsh protestash të studentëve, duhet parë me kujdes.
“…nga disfata në Kosovë pas sulmit terrorist në Banjska, mundësisë së përfshirjes në sulmin tjetër terrorist në infrastrukturën kritike të Kosovës, presionet e brendshme për reforma zgjedhore, deri te presionet ndërkombëtare në rritje ndaj politikës së jashtme të Vuçiqit të ekuilibrimit në katër karrige (BE, Washington, Moskë e Pekin)”, ka shkruar ai.
Më tej ai ka shtruar pyetje se çka fshihet pas dorëheqjes, mbledhjes së jashtëzakonshme të presidentit
Aleksandar Vuçiq me Qeverinë dhe dorëheqjen e kryetarit të Novi-Sadit.
“Doli se Vuçiq, si një radikal hegjemonist i përbetuar, me premtime boshe ndaj Perëndimit, vetëm se kishte blerë kohë vazhdimisht, për ta forcuar pushtetin e tij në Serbi, duke degraduar në skajshmëri lirinë e fjalës dhe shumë liri të tjera qytetare, sidomos duke shndërruar në normë diskriminimin e pakicave sidomos të shqiptarëve. Konfliktuoz me fqinjët, me pretendime hegjemoniste përmes “Botës serbe” ndaj shteteve përreth, Vuçiq është shndërruar në pengesën kryesore për paqen e qëndrueshme në Ballkan. Në të njëjtën kohë, “pastrime politike” shtojnë një tjetër dimension në këtë tablo të ngarkuar politike. Politizimi i institucioneve dhe zëvendësimi i punonjësve ekzistues me persona të lidhur me parti specifike janë shqetësime që prekin jo vetëm administratën shtetërore e lokale, por edhe gjithë sistemin e qeverisjes dhe sistemin gjyqësorë”, ka shkruar Kamberi.
Kamberi ka bërë thirrje që lëvizjet e fundit në Beograd të shihen me kujdes, sipas tij edhe pse Vuçiqi po duket i dorëzuar ndaj kërkesave të protestuesve “me gjasë, po përgatit një skenarë të i për daljen nga kriza duke ‘flijuar’ kështu bashkëpunëtorët e vet të afërt”.
Deputeti ka thënë se në ditët në vijim do të vërtetohet nëse është “era e ndryshimeve” ajo që po fryn në Beograd apo taktikë e re e Vuçiqit për heqjen e presionit.