Kabllobramet e Kaidanow në vitin 2007: Kurti forcë destabilizuese në Kosovë
Në moshën 59 vjeçare dje ka vdekur diplomatja amerikane, Tina Kaidanov vdiq. Kaidanov ishte Shefe e Zyrës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, qysh para se ajo të shndërrohej në ambasadë. Asaj i duhej të argumentonte edhe jashtë Kosovës se plani dhe rekomandimet e Martti Ahtisaarit ishin “përgjigja e vetme dhe e drejtë për statusin e ardhshëm të Kosovës”. Kaidanov në vitin 2007 i pengonin aksionet dhe protestat e dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila e kundështonte këtë rrugë që do të shpiente në shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008.
Kryetari i kësaj lëvizjeje, kryeministri i tanishëm i vendit, Albin Kurti, ishte arrestuar në selinë e LVV-së më 10 shkurt 2007 në ditën kur dy aktivistë të LVV-së, Mon Balaj dhe Arben Xheladi ishin vrarë gjatë një proteste si dhe mbetën të plagosur mbi 80 persona.
Për atë që ndodhte, Kaidanow e donte Kurtin në burg, siç dëshmojnë disa dokumente të publikuara më vonë nga WikiLeaks, faqja e Julian Assange ku publikoheshin materiale të ndryshme të klasifikuara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në raportimet që Kaidanow ua bënte inteligjencës së mbrojtjes, Sekretarit të Shtetit, Sekretarit të Mbrojtjes e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në SHBA, paralajmëronte “rrezikun” nga Kurti.
Kaidanow thoshte në raportimim për dhunën e 10 shkurtit 2007 se mbajtja e Kurtit në paraburgim ishte “lajm i mirë për Kosovën”.
“Provat e forta kundër Kurtit dhe mundësia e vazhdimit të paraburgimit të tij në pritje të gjykimit janë një lajm i mirë për Kosovën. Ngjarjet e 10 shkurtit — në të cilat humbën dy jetë si rezultat i taktikave të dhunshme të LVV dhe dëshirës për konfrontim — dëshmojnë se Kurti nuk është vetëm një rrezik ikje për prokurorët, por një rrezik për sigurinë publike në Kosovë”, shprehej ajo më 2 mars 2007.
Kaidanow paralajmëronte se “në ose jashtë burgut, legjenda e Kurtit ka të ngjarë të rritet”.
“Ne mbështesim ndjekjen penale të Kurtit dhe duke pasur parasysh se ai i ka shkelur në mënyrë rutinore urdhrat e mëparshëm të arrestit shtëpiak dhe ka refuzuar juridiksionin e sistemit gjyqësor të OKB-së — biem dakord që vazhdimi i paraburgimit të tij është më se i garantuar”. Në prag të protestave të ardhshme që paralajmëronte lëvizja e Kurtit, Kaidanow theksonte se “është në interes të sigurisë publike që ai të mbetet në paraburgim”, citohet të ketë thënë Kaidanow.
“Veprimet e tij në të kaluarën janë dëshmuar jo vetëm të rrezikshme, por edhe vdekjeprurëse, dhe ai premton se do të vazhdojë të jetë një forcë destabilizuese në Kosovë. Përse gjyqtari ndërkombëtar që urdhëroi lirimin e tij nuk e mori parasysh këtë mbetet një mister”, thoshte ajo më 8 qershor 2007.
Kaidanow thoshte se Zyra e SHBA-së që e drejtonte ajo do të vazhdonte t’i monitoronte “zhvillimet në rastin Kurti dhe të nxisë durim dhe përmbajtje nga ana e kosovarëve ndërsa procesi i statusit përfundimtar ec përpara”.
Kaidanow më vonë e përshkruante si “të tmerrshëm”, trajtimin e rastit Kurti, ndërsa shprehte dëshirën që ai të dënohej.
“Ndërsa jemi të lumtur që dëgjojmë një prokuror amerikan të shprehë besimin, asgjë që ka ndodhur në tetë muajt e fundit – nga paraburgimi ‘kap dhe liro’ i Kurtit deri te këto procedurat e fundit farsë – që na jep ndonjë inkurajim të vërtetë që do të pasojë një dënim”, thoshte ambasadorja më 26 shtator 2007.
Shprehej se do ta ndjeknin “rrjedhën e labirintit” dhe do ta shtynin UNMIK-un që ta sillte rastin e Kurtit në gjykatë “pa vonesa të mëtejshme”.
Prokurori Publik Ndërkombëtar Andrew Mayes, paraprakisht kishte ngritur një aktakuzë kundër Kurtit më 4 qershor 2007, me të cilën ai ngarkohej për pjesëmarrje “në një turmë që kryen vepër penale”, për pengim ndaj zyrtarëve për t’i kryer detyrat e tyre si dhe “lëshimin e thirrjes për rezistencë”.
Kaidanow u kishte treguar të tjerëve se “në aktakuzë saktësohet se Kurti nxiti një turmë të mbledhur prej disa mijërash për të shkaktuar rrezik të përgjithshëm” dhe “dëmtimin e pronës në përmasa të mëdha duke hedhur 351 shishe qelqi të mbushura me lëndë të kuqe në automjete dhe ndërtesat e Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës dhe UNMIK-u”.
Në verën e vitit 2009, Kaidanow e la Kosovën për të vazhduar me detyrat e radhës diplomatike dhe Lëvizja Vetëvendosje kishte organizuar një aksion kundër saj.