Juventus kërkon sulmues, Milan bisedon me Rashford dhe Trincao, Inter “shet” Fratessi-n

Klubet e mëdha të serisë A, janë aktive në merkaton e këtij muaji.
Juventus dhe Milan veçanërisht po përpiqen të përmirësojnë organikën nisur edhe nga pjesa e parë e sezonit jo shumë e mirë për të dyja klubet.
Bardhezinjtë shqetësimin kryesor e kanë tek reparti i sulmit. Vlahoviç është kthyer në një problem serioz për Zonjën e Vjetër, pasi nuk po justifikon aspak milionat me të cilat u ble nga Fiorentina.
E ardhmja e serbit duket larg shtëpisë bardhezi, por vështirë se kjo do të ndodhë në mes të sezonit pasi në këtë mënyrë klubi do ti duhej të blinte dy sulmues duke qenë se Milik është i dëmtuar.
Tani për tani drejtori Xhuntoli është i fokusuar në gjetjen e një alternative për sulmin. Në orët e fundit ka humbur pak kuota Zirkze, holandezi që pëlqehet shumë nga Tiago Mota, pasi Manchester United kërkon që formula e huazimit të jetë me detyrim blerje.
Sondazhet e fundit të Juventusit janë për Kolo Muani, sulmuesit të kombëtares franceze, të cilin PSG është gati ta japë në huazim pa detyrime. Ndërkohë veterani brazilian Danilo po shkon drejt prishjes konsensuale të kontratës me Bardhezinjtë.
Milan nga ana tjetër ka si domosdoshmëri përforcimin e krahëve të sulmit. Dy janë emrat e momentit në shtëpinë kuqezi. Markus Rashford i Manchester United dhe Trinkao i Sporting Lisbonë.
Për sulmuesin anglez të djajve të kuq është investuar vetë Zlatan Ibrahimovic duke qenë se kanë qenë shok ekipi tek klubi anglez disa vite më parë.
Mes përfaqësuesve të lojtarit dhe drejtuesve të Milanit do të ketë një takim konkret këtë të mërkurë në Milano, teksa kuqezinjtë e duan në huazim.
Për Trinkaon Milani duhet të bëjë një sforco financiare 25-30 mln euro. Kjo do të ndodhte vetëm nëse Cukueze shitet në Turqi tek Gallatasarai, por Trinkao pëlqehet shumë nga trajneri Konseisao.
Tek Interi ndërkohë lajmet e vetme të momentit janë largimet e mundshme të Asllanit dhe Fratezit. Ky i fundit sidomos që e ka shprehur vetë vullnetin për të lëvizur pasi nuk ka minuta, mirëpo Zikaltërit duan 40-45 milion euro dhe i vetmi klub që mund ta bëjë këtë sakrificë është Tottenham.