Jep dorëheqje sekretari i VV-së nga pozita në KQZ

Sekretari i VV-së jep dorëheqje nga pozita në KQZ.

Sekretari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës së Kosovës.

“Presidentja është informuar lidhur me dorëheqjen e z.Alim Rama nga pozita e anëtarit në KQZ. Pas kesaj, Presidentja ka marrë vendim për lirim të tij nga detyra”, ka thënë Kupina të premten.

Ai tutje ka bërë të ditur se në ditët në vijim, bazuar në afatet ligjore do të bëhet zëvendësimi i tij në KQZ.

Një ditë më parë, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës e quajtur të kundërligjshme situatën në të cilën Rama ishte pjesë e KQZ-së edhe pse ishte emëruar në pozitën e sekretarit organizativ të VV-së. Ai ka kritikuar presidenten Vjosa Osmani se për tre muaj ka toleruar këtë situatë.

“Po bëhen gati tre muaj që kur anëtari i KQZ-së, Alim Rama, ka papajtueshmëri ligjore në ushtrimin e këtij mandati, për shkak të emërimit në pozitën e Sekretarit Organizativ në LVV. Pra, po bëhen tre muaj që kur Presidentja është duke toleruar një situatë të kundërligjshme”, ka shkruar Cakolli në Facebook.

“Edhe muaji janar, i përmendur si kohë e fillimit të ushtrimit të mandatit nga Rama – sado që kjo është absurde – po kalon. Kësisoj, vet Presidentja po kryen shkelje duke mos përmbushur obligimet ligjore për zëvendësimin e tij”.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!