“Jemi thellësisht të tronditur dhe të trishtuar”, Maqedonia solidarizohet me Malin e Zi pas tragjedisë
Pas masakrës në Cetine reagoi edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut.
“Jemi thellësisht të tronditur dhe të pikëlluar nga ngjarjet tragjike në Cetine të Malit të Zi. Ne solidarizohemi me familjet e viktimave dhe me popullin e Malit të Zi në këtë kohë të vështirë. Mendimet tona janë me ju”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska-Davkova, në mëngjes u ka përcjellë ngushëllime familjeve të viktimave në Malin e Zi.
Në një mesazh në rrjetin social “X”, presidentja tha: “U dërgoj ngushëllimet më të thella familjeve dhe të dashurve të prekur nga të shtënat masive tragjike në Cetine të Malit të Zi.
Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre, popullin e Malit të Zi dhe të gjithë ata që janë prekur në këtë kohë tepër të vështirë”.
Letër ngushëllimi, në emër të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ka dërguar edhe kryeparlamentari Gashi, duke thënë se Kuvendi shpreh solidaritetin e plotë dhe mbështetje për autoritetet që po punojnë për të përballuar pasojat e kësaj tragjedie.