Japin dorëheqje tri anëtare të Vetëvendosjes në Drenas: Do të bashkëpunojmë me Lladrovcin
Tri anëtare të Lëvizjes Vetëvendosje në Drenas, Mimoza Berisha, Indire Olluri dhe Flota Bujupi kanë njoftuar se kanë dhënë dorëheqje nga kjo parti dhe se do të bashkëpunojnë me kryetarin e PDK-së, Ramiz Lladrovci.
“Përmes këtij shkrimi, unë, Mimoza Berisha, se bashku me Indire Ollurin dhe Flota Bujupi ju njoftojmë se po japim dorëheqje, nga gjitha përgjegjësitë tona si anëtare të Lëvizjes Vetëvendosje! në Drenas.
Arsyet që na kanë nxitur deri të ky vendim kanë qenë të shumta si: puna joprofesionale dhe jo e drejtë, nga individë të caktuar, që janë pjesë e strukturave të larta të Lëvizjes në qytetin tonë ,standardet e dyfishta që janë përdorur dhe pakënaqësitë tjera në funksionimin e degës.”, shkroi Berisha në Facebook.
Tutje ajo tha se në bisedat me anëtarë tjerë të LVV-së në Drenas, por edhe nga takimet me qytetarët, “kemi parë që simpatizimi dhe shpresa e tyre për Lëvizjen ka rënë, shkaku i keqmenaxhimit!”
“Ndërsa, si arsye për bashkëpunimin me z.Ramiz Lladrovcin, mund të listohen sukseset e tij në qeverisje, respektimi i kuotës gjinore, nga ana tij, por, mbi të gjitha vlerësimi dhe besimi i tij ndaj fuqisë së grave!Degës së VV-së në Drenas ju urojmë suksese në vazhdimësi me shpresën e ndryshimit në struktura!”, përfundoi Berisha./21Media