Janar i vështirë përpara Kurtit: Barrikadat u hoqën, tani zgjidhje politike

Ashtu siç kërkonin ndërkombëtarët, barrikadat në veri u hoqën nga vetë ata që i kishin vendosur.

Të maskuar, pasditen e së enjtes, serbët filluan me heqjen e barrikadave, njëzet ditë pasi mbajtën të bllokuar këtë pjesë.

Për njëzetë ditë me radhë, gjashtëmbëdhjetë barrikada të vendosura kohë pas kohe bllokuan lëvizjen e lirë të qytetarëve në veri të Kosovës. Serbët filluan heqjen e tyre, vetëm pasi ish-polici serb i arrestuar për terrorizëm, Dejan Pantiq, u lirua në arrest shtëpiak.

BE, NATO e SHBA kanë përshëndetur heqjen e barrikadave, dhe me nota dëshpërimi kanë kërkuar që të kihet kujdes me hapat që do të ndiqen tani, sepse situata, sipas tyre vazhdon të mbetet delikate.

Për emisarin evropian, Miroslav Lajçak, niveli i mosbesimit mes palëve nuk ka qenë kurrë më i lartë se kaq.

Është e rëndësishme, tha ai, të mos lejohet që situata të kthehet në një krizë tjetër.

“Liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të nisin të krijojnë një atmosferë të favorshme për diskutime produktive dhe për normalizimin e marrëdhënieve”, është shprehur Lajçak, sipas të cilit afati i marsit ka për qëllim të përcjellë seriozitetin e arritjes së një marrëveshjeje.

Lajçak këmbëngul se momentumi aktual është ideal për gjetjen e një zgjidhjeje dhe se nëse humbet ky momentum, marrëveshja mund të zvarritet për dekada. Nëse një marrëveshje nuk arrihet më së largu deri më 2024, Lajçak thotë se do të duhen të kthehen nga e para në këtë proces.

“Tani për tani kemi një strukturë shumë të favorshme, kemi vëmendjen e menaxhmentit të lartë në SHBA dhe Bashkimin Evropian dhe kemi një shembull të bashkëpunimit BE-SHBA, kështu që kjo është një mundësi reale, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024. Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, ne do të duhet të fillojmë nga e para. Nëse i kthehemi krizës dhe konflikteve, atëherë mund të harrojmë afatet”, theksoi Lajçak.

Një “janar intensiv” e paralajmëroi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.

Hill ka paralajmëruar aktivitete intensive pas festave të fundvitit për gjetur zgjidhjen ndërmjet Kosovës e Serbisë nëpërmjet procesit të dialogut.

Sipas Hill, gjatë janarit do të nisin përpjekjet e para.

“Së pari duhet ta tejkalojmë këtë krizë, të mos lejojmë që të ndodhin gjëra të këqija, të mos e tolerojmë dhunën, të mos lejojmë që njerëzit të lëndohen. Çfarë është e rëndësishme në negociata – dhe unë kam qenë pjesë e tyre shumë herë – është që të shfrytëzohet momentumi drejt një zgjidhjeje politike. Dhe mendoj që do të shohim përpjekje në këtë drejtim në janar, kur të gjithë të kthehen nga pushimet. Mendoj se do të shohim shumë aktivitet me përpjekje për të ndërmarrë hapa politik në procesin e dialogut për të ecur përpara”, ka thënë Hill.

Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbisë nëpërmjet dialogut, Hill ka thënë se do të ketë përpjekje nga BE-ja si dhe nga SHBA-ja.

Ndërkaq, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se pozicioni i SHBA-së është shumë i qartë, veriu është pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, e konsiderojmë ashtu dhe e trajtojmë ashtu.”, ka thënë Hovenier, gjatë një takimi me gazetarë.

Por Hovenier, e ka bërë të qartë se ShBA kërkon që Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, të bëhet patjetër.

Hovenier ka theksuar se në këtë drejtim nuk ka opsion, pasi tha se Asociacioni është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, dhe ky qëndrim i ShBA’së nuk do ndryshojë.

“Mbetet një qëndrim i qartë politik i SHBA-së. Themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe s’ka opsion. Është një marrëveshje ligjërisht e obligueshme të cilën Kosova e ka marrë përsipër. Një marrëveshje ligjërisht e obligueshme që është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës. Shtetet nuk mund të vendosin se çfarë marrëveshje ligjërisht të obligueshme e implementojnë apo s’e implementojnë. Ato janë marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Kosova është një shtet që ndjek zbatimin e Ligjit”, tha ambasadori në një takim me gazetarë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili me sa duket nuk do të ketë një vit aspak të lehtë përpara, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale, megjithëse konfirmoi se në muajin janar të vitit 2023 do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimin e radhës në Bruksel. Kurti, thekson se Serbia më shumë është e interesuar për shkaktimin e krizave në të cilat mandej shfaqet vet si faktor për t’i zgjidhur ato.

“Është e pritshme që në janar do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimet në Bruksel. Me datën 18 gusht ka ndodhur një takim në procesin e bisedimeve le të themi historik, por me h të vogël, pasi për herë të parë agjenda e ka pasur rendin logjik të gjërave… Tri javë më vonë u bë propozimi që e kemi konsideruar si bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme nga emisarët specialë, të cilët erdhën edhe në Prishtinë me atë që është quajtur iniciativa franko-gjermane për marrëveshjen që i përngjanë dy Gjermanive me elemente dhe opsione të ndryshme. Unë besoj se aty thirrja që bëhet në vlera demokratike evropiane është pozitive, por procesi negociator do të tregojë si do të shkojë më tutje. Por është e qartë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje dhe dialog. Ajo është e interesuar vetëm për shkaktim të krizave në të cilat mandej shfaqet vet si faktor që i zgjidh ato”, thotë ai.

Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paralajmëroi dje se në janar zyrtarë të rëndësishëm pritet të aterrojnë në Serbi për një zgjidhje me Kosovën.

Kurti dhe Vuçiq gjatë këtij viti kanë pasur tri takime të nivelit të lartë në Bruksel.

Për herë të parë, dy zyrtarët janë takuar më 15 qershor dhe gjatë takimit kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.

Takimi i dytë u zhvillua më 18 gusht. Ndonëse ishte paralajmëruar se pritet të ketë një dinamikë të re në dialog dhe takime të nivelit të lartë së paku një herë në muaj, liderët e dy vendeve u takuan sërish tek në nëntor, për të biseduar rreth çështjes së targave.

Në fund palët kanë thënë se nuk janë pajtuar për asgjë, mirëpo kanë shprehur gatishmëri për vazhdim të dialogut.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!