Jakup Azemi: Vetëvendosje: shpresa e (fundit) e humbur e Kosovës?

Kurdo që një titull akademik me përmbajtje rreth Kosovës shfaqet në publik duhet vëmendje e veçant. Kjo sepse,  Kosova,  ndonëse si subjekt mbetet aktive në zhargonin dhe në sferën politike dhe akademike ndërkombëtare, nuk trajtohet me dashamirësi si dikur. Libri Shpresa nga Dr. Aidan Hehir, autor i disa librave dhe titujve shkencorë rreth Kosovës, bën përjashtim, andaj, meriton vëmendje të veçantë.

Që në fillim duhet sqaruar se ky autor në materjen që shtjellon mban një qëndrim korrekt ndaj shoqërisë lokale – pra popullsisë së Kosovës, ndërsa ka një qasje tejet kritike ndaj faktorëve ndërkombëtarë të cilët tashmë për dy dekada vazhdojnë të mos e lirojnë Kosovën tërësisht nga tutela e tyre. Autori i qaset materies me një sfond teorik të huazuar nga një deklaratë e Albin Kurtit, gjaët periudhës së militantizmit të tij si opozitar,  por duke zhvilluar atë më tej me literaturë mjekësore. Kurti kishte tërheqë një analogji midis ndërkombëtarëve – doktorit, dhe popullsisë kosovare – pacientit, një marrëdhënie e detyruar nga “shpresa” se një ditë pacienti do të shërohet – Kosova do ta arrinë pavarësinë (e plotë).

Pra lajtmotivi kryesor i librit është termi “shpresë”, ashtu siç është edhe vet titulli i librit. Por, në marrëdhënien midis shoqërisë kosovare dhe administratorëve ndërkombëtarë “shpresa” është e “imponuar”  nga bashkësia ndërkombetare (BN) në këmbim të qetësisë nga pala kosovare karshi diskursit liberal të BN – lexo fuqive perëndimore me në krye SHBA-të dhe Unionin Europian në procesin e shtet-ndërtimit të Kosoves sipas ritmeve dhe botëkuptimve të kësaj të fundit. Në këtë kuadër autori sjell një paradigmë të re në sqarime tejet të shterruara mbi arsyet vendimtare, sipas tij, të intervenimit ndërkombëtar (NATO-s) në Kosovë më 1999, si dhe ndërmarrjen e shtet-ndërtimt të Kosovës më pas. Ai thekson se intervenimi, dhe më pas shtet-ndërtimi i Kosovës kanë pasë rol instrumental për perëndimin, si një fuqi dominante pas mbarimit të luftës së ftoht ku SHBA- dhe demokracitë perëndimore trimfuan, si fuqi e vetme njëpolare, dhe se nuk ka pasë të bëj aq shumë me shqetësimet kundrejt popullit të Kosovës (f. 85). Meqenëse shtet-ndërtimi i Kosovës kishte pasë rol po ashtu instrumental për të realizuar objektivat e Perëndimit dhe ambiciet e tyre hegjemoniste, fati i Kosovës, prandaj, kishte qenë tepër i rëndësishëm për Perëndimin për t’ ju lënë në dorë Kosovarëve (f. 117). Autori vazhdon: “në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës, nuk ka qenë e rëndësishme mirëqenja dhe demokracia e vërtetë e popullit të Kosovës por ndërtimi i një simboli të suksesit Perëndimor: Kosova duhej të dukej e qetë, demokratike, prosperuese, ashtu që Perëndimi të dukej i fuqishëm”. Të shtyrë nga kjo përllogaritje interesi, duke huazuar një konstatim nga një autor tjetër, Hehir vazhdon më tej: “…komuniteti ndërkombetar shpesh ishte më i interesuar të krijonte një pamje të progresit se sa rezultate afatgjata”(f. 146). Në kuadër të këtij botëkuptimi ishte ndërmarrë aksioni i shtet-ndërtimit nga lart – poshtë duke imponuar vendime, simbole, dhe model shtetëror jo-demokratik qofte edhe me projektin e Ahtisaarit, si dhe ndërmarrjen mbi krijimin jo-demokratik të Asociaciont të Komunave me shumicë etnike Serbe (AKS).

Ky sqarim alternativ pra është mjaft i initeresant, pasi populli Kosovës përgjithësisht ka përjashtuar çfaredo sqarimi tjetër përveç atij “shqetësues” apo dashamirës nga aleatët, në radhë të parë SHBA-të, për fatin e shqiptarëve të Kosovës. S’do mend se shoqëria kosovare mund të përfiton nga shpjegime  alternative rreth arsyeve të ndërhyrjes ndërkombëtare në Kosovë qofte edhe duke i zëvendësuar perceptimet e saj idealiste me ato të real-politikës.

Për të sqaruar akoma më tej rolin e “shpresës” në mobilizimin e individit dhe shoqërisë, Hehir citon studjues të ndryshëm dhe në këtë kuadër ai dallon dy lloj shpresuesish: të qëllimshëm – (wilful hopers) – të cilët mbështeten tek mjetet  dhe fuqia e tyre për t’i realizuar objektivat e tyre, (në rastin konkret BN në Kosovë), dhe shpresues dëshirues (wishful hopers), të cilët për t’ i realizuar objektivat e tyre mbështeten tek të tjerët (në rastin konkret kosovarët). Të parët  nuk shqetësohen për efektet negative që aksionet e tyre mund të kenë për të tjerët, kurse të dytët karakterizohen me besim naiv tek vullneti i të tjerëve për t’i facilituar këa të fundit në realizimin e synimve të tyre. Kjo lloj shprese e “shpresuesit dëshirues”, prandaj, shkakton një pasivitet dhe servilizëm gjë që ndikon negativisht në mobilizimin vetanak tek shpresusi për ti realizuar objektivat e tij/saj (f. 31).  Pra shpresusi dëshirues, bjen në pasivitet dhe humb rolin dhe besimin e saj/tij në akcionet e veta per t’i realizuar objektivat e tyre. Ky konsatim i autorit është mjaft paradigmatik meqense duke spikatur raportin e popullsisë vendore me fuqitë ndërkombëtare në Kosovë, Hehir zbulon shumë bukur efektin çmobilizues, që ky lloj raporti ka pasur për shqiptarët duke u mbështetur tek ndërkombëtaret për t’ i realizuar objektivat e saja (f.30).

Një faktor tjetër që shtjellohet në këtë libër është korrupcioni i thellë që e kishte karakterizuar Kosovën gjat qeverisjeve të një-pas-njëshme në Kosovën e pas luftës. Këtu Hehir zbërthen organikën e praktikave korruptive të klasës politike në Kosovë dhe ndërveprimin e tyre me faktorët ndërkombëtarë, të cilët, për t’ i realizuar objektivat e tyre, kishin toleruar korrupsionin galopant qoftë duke mos i ndjekur kriminelët nga radhët e vendorëve në këmbim të heshtjes së këtyre të fundit. Në këtë kuadër elitat e korruptuara do të jenë shfaqur para publikut vendor se gjoja po bashkëpunonin me BN në interes të shtet-ndërtimit të Kosovës, por në fakt ato funksionin në interes personal dhe në kurriz të vendit. Rrjedhimisht, sa më i thellë korrupcioni i elitës politike, aq më e madhe influenca e ndërkombëtarve ta, dhe aq më pak progres të vërtetë në Kosovë.

Sidoqofte, vizioni Perëndimor për Kosovën kishte pësuar një goditje me ngjarjet e Marsit 2004, sipas këtij autori, ku popullsia vendore do ta ketë arritur frustrimin me ç’rast BN ishte detyuruar të rishikonte disa nga pikëpamjet e tyre dhe kësisoj lejuan pavarësinë e Kosovës me 2008, por duke “manipuluar”, përsëri, shpresën e palës vendore. Prandaj, paknaqësitë lidhur me ecurinë e shtet-ndertimit të Kosovës u rritën paralelisht me një rikalibrim të thellë të politikës së jashtme të Perëndimit në periudhën 2008 – 2019. Tashmë, Perëndimi filloi të perceptionte Kosovën si pengesë e zhvillimit të objektivave të reja në politikën  e tyre të jashtme, që nënkuptonte edhe inkorporimin e Serbisë në kuadër të sferës së tyre të influencës (f. 172).  Konform kësaj, edhe pakënaqësia e popullsisë vendore do të rritej, dhe rezultati i zgjedhjeve të përgjithëshme të vitit 2019 kishte dëshmuar që efekti instrumental i “shpresës” nuk do të funksionte më tutje. Por megjithatë, shoqëria kosovare zhgënjimin e ktheu në shpresë pozitive “shpresë të mirë” – tek VV-ja, duke evituar çfarëdo forme të veprimit jo-liberal apo lloj ektremizmi.

“Shpresa e mire” (“Good Hope”) të cilën përfaqësonte VV, sipas ketij autori inspiron aksion konkret, dhe besim në vetvete duke i përllogaritur aftësitë por edhe limitet e aktorëve shpresues, por edhe duke përfituar këshilla nga të tjerët (f. 230). Në kuader të kësaj shprese – pra të shpresusit të mirë, autori thekson se VV, si një levizje poshtë-lart, i përbmushë këto kritere, sepse ajo bazohet tek aksioni mobilizues në veprime konkrete qytetare me objektiv çlirimin nga pasiviteti dhe nxjerrja jasht kontrollit të huaj (231/2). Edhe pse ishte ngritur në oponencë të BN, VV-ja ka bërë përpjekje që politikat e saj të jenë në harmoni me vlerat e përbashkëta perendimore, ndërsa vet Perëndimi për arsye të veta strategike duke përkdhelur Serbinë, në fakt ka shkelur mbi rregullat dhe principet e veta. Në anën tjetër, përkundër autokracisë dhe nacionalizmit të hapur të Serbisë nën udhëheqjen e Aleksandar Vuqiqit, qasja e Perëndimit ndaj Kosovës dhe Serbisë, ka qene në funksion të konsolidimit të një stabilokracie duke i forcuar regjimet në regjon të cilat ruajnë status quon. Kjo sy-mbyllje e Perëndimit ndaj Serbisë, s’ do mend se do ta kishte trimëruar ate, e cila provoi aktin e agresionit në Kosovë në Shtator 2023 kur forcat paramilitare Serbe të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, një udhëheqës i Listës Serbe (parti politike) në Kosovë dhe mik i presidentit të Serbisë Vuqiq. Përkundër këtij akti, Vuçiq do të ketë vazhduar propagandën me akuza kundër kryeministrit Kurti dhe Kosovës, ndërsa Serbia do të ketë kaluar pa pasoja përkundër agresionit të saj në Kosovë.

Në fund, autori thekson se VV është shpresa e fundit e Kosovës, ndonëse arritja e objektivave të saj në masë të madhe varet nga vullneti i forcave të jashtme. Por, nëse VV dështon ta bindë Perëndimin që të ri-shikoj qëndrimet e tyre karshi Kosovës, kjo mund të shkaktoj një valë të paknaqësisë me mundësi të rrëshqitjes kah lëvizje politike ekstreme, të cilat mund të kenë pasoja destabilizuese për Kosovën dhe regjionin (f. 265).

A e përmbushi VV-ja rolin e saj të “shpresës së mire”?

Duke pasë analizuar materjen e këtij libri, tani është i nevojshëm një vlerësim i përgjithshëm lidhur me përmbushjen apo jo të aspirateve të popullit të Kosovës të cilat VV-ishte zotuar se do t’i realizonte. Pra VV-ja ishte shfaqur si promotore e “shpresës së mirë”.

  1. Zotimi që Kosova të trajtohej e barabartë me Serbinë, që përzierja e Serbisë në Kosovë duhej të mbaronte, dhe çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia të adresohej: Megjithëse të drejta këto objektiva dhe kërkesa, SHBA-të dhe BE-ja nuk është që e kanë honepsë këtë qëndrim të kryeminstrit Kurti, i cili sikurse pararendësit e tij, është detyruar të ballafaqohej me këtë asimetri përgjat mandatit të tij si kryeministër, veçanërisht gjat procesit të dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja. Aksionet e tij për të shtrirë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës e kanë zvetënuar atë dhe do t’ i ketë shkaktuar kosto të madhe sa i përket mbështetjes ndërkombëtare. Megjithatë, mund të argumentohet se qeveria e drejtuar nga VV-ja, është përpjekur të rikalibroj qëndrimin e Kosovës në vijën e politikës së jashtme, dhe në këtë kuadër do t’ i ketë siguruar Kosovës një trajtim më dinjitoz, ndonëse ende asimetrik, duke pasë parasyshë se BN kanë vazhduar ta miklojnë Serbinë, sidomos sa i përket raportit të saj me Kosovën, dhe kjo domosdoshmërisht ka minuar karakterin e pavarur të shtetësisë së Kosovës.
  2. Rezultati i bisedimeve me Serbinë: Detyrimisht i shtyrë të anagazhohej në bisedime me Serbinë të ndërmjetësuara nga BE-ja dhe facilituara nga SHBA-të, kishte rezultuar me të ashtuquajturën marrëveshje e Brukselit në Shkurt, dhe Ohrit në

Mars 2023. Kjo nënkuptonte njohje de facto  e Kosovës nga ana e Serbisë, por ndër të tjera, edhe implementimin e një të ashtuquajturi Asocion i Komunave me shumicë Serbe, një entitet i cili përgjithësisht është cilësuar si një autonomi e zgjeruar për Serbët në Kosovë ndërkohë që përbërja e këtij etniteti është tejet e vogël – në disa dhjetëra mijëra maksimum. Megjithse e pa-nënshkruar kjo marrëveshje, ndërmjëtesit (UE dhe SHBA) e kanë cilësuar si obligative, dhe se sipas tyre pala Kosovare ka obligim ta implementoj atë. Në këtë kontekst, prandaj, kryeministri Kurti nuk dallon shumë nga paraardhësit e tij në pushtet – Thaqi dhe Mustafa, të cilët kishin vendosur konturat legale të këtij asociacioni më 2013 dhe 2015. Duke analizuar këtë rezultat, paradoksalisht del se refuzimi verbal i Kurtit dhe VV-s në të kaluarën për të implementuar asociacionin kishte pasur rol instrumental për ta, pra jo në të mirë të Kosovës. Ky konstatim do të rrëzohej vetëm nëse VV- vazhdon të qeverisë edhe për një mandat, dhe nëse do të arrinte ta evitonte implementimin e asociacionit. Se si do të argumentonte kundër diçkaje që është pajtuar vet me marrëveshjen e vitit 2023 është vështirë të imagjinohet në këtë moment, por gjëra të çuditshme ndodhin gjithmonë në jetën politike.

  1. Korrupsioni: Luftimi i korrupsionit po ashtu ka qenë një ndër postulatet e VV-s si agjent i “shpresës së mirë”. Derisa rezultate të ndjeshme janë shënuar në ketë drejtim, korrupsioni nga radhët e qeverisjes është shfaqë me ritëm goxha të madh gjë që ka motivuar opozitën ta përdorë ate si argument kundër VV-s. Matjet e luftimit të korrupsionit në Kosovë raportojnë përgjithësisht rezultate modeste, në krahasim me premtimet, andaj Kosova vazhdon të mbetet vend ku korrupsioni dhe nepotizmi vazhdojnë të mbeten endemike.
  2. Zhvillimi ekonomik, shëndetësia, edukimi: Në përgjithësi, zhvillimi ekonomik në Kosove lë shumë për tu deshiruar, dhe, në këtë fushë ka nje konsensus të përgjitheshëm, përfshirë edhe analistë të afërtë me VV-n. Edhe më keq çeshtja qendron me edukimin, fushë në të cilën VV-ja nuk ka me çka të mburret. Raportohet se një projekt ambicioz i cili synonte ta reformonte dhe zhvillonte sistemin e edukimit në të gjitha nivelet, që krerët e VV-s ishin zotuar ta jetësonin posa te vinin në pushtet, ka deshtuar të materializohet. Kjo neglizhencë hedh dyshime mbi seiozitetin e zotimeve të VV-s, derisa arsimi ka ngelur në të gjitha nivelet. Mungesa e zhvillimit ekomik, dhe duke i shtuar edhe mungesën e sistemit të mirëfillt shëndetësor dhe edukimin, përbëjnë faktorët dominant të cilët vazhdojnë të stimulojnë emigrimin, një endemi që e kërcenon tepër seriozisht të ardhmen e Kosovës.

Duke i pase parasyshe të gjithë faktoret e sipër permendur, vetvetiu lindë pyetja, nëse “shpresa e mirë” e quajtur VV ishte vërtet e mirë, apo edhe kjo shtresë rreth kryemnistrit Kurti, ka shfrytezuar nevojat, sentimentet dhe perceptimet e shoqërisë Kosovare si instrument, sukurse nderkombetarët dhe elitat e korruptuara kundër të cilave VV u ngrit dhe erdhi në pushtet. A do t’ i jipet edhe një shans VV-s to dëshmoj të kundërtën? Mbetet të shihet. Votuesit kosovarë janë mjaft të pjekur dhe perceptiv, të cilët historkisht kan dëshmuar se dijnë të marrin vendime shumë të pjekura.

Lajmet Jakup Azemi: Vetëvendosje: shpresa e (fundit) e humbur e Kosovës? >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker