Isa Mustafa thotë se Qeveria të korrigjojë vendimin skandaloz për tatimin në pronë: S’mbulohet kjo plaçkitje me 50 euro

Mustafa: Qeveria të korrigjojë vendimin skandaloz për tatimin në pronë, s’mbulohet kjo plaçkitje me 50 euro.

Përpos shqetësimeve të shumta që kanë në përballje me inflacionin, qytetarët së fundi u përballen edhe me një rritje të çmimit të tatimit në pronë.

Nëse vitin e kaluar një qytetar pagoi tatim 400 euro, këtë vit i njëjti u pagua 900.

Siç duket fillimviti nuk doli edhe shumë i mbarë për qytetarët, sidomos në aspektin e shpenzimeve të cilat janë të patjetërsueshme.

E kjo falë vendimit të fundit nga Ministria e Financave, për ngritjen e çmimit të tatimit në pronë.

Si fillim një gjë e tillë nuk u bë publike, por qytetarët e morën vesh në momentin kur iu desh të paguanin atë. E nga komunat kanë theksuar se një gjë e tillë është vendosur nga Ministria e Financave, derisa kjo e fundit u deklarua ndryshe.

Madje në një njoftim të bërë dje u tha se shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat.

“MFPT, bazuar në Ligjin për Tatim në Pronë, obligohet që në baza të rregullta të bëjë vlerësimin e pronave të paluajtshme, ndërsa shkallën e tatimit e përcaktojnë vetë komunat. Departamenti i Tatimit në Pronë, në kuadër të MFPT, përgjatë vitit 2022 ka kryer vlerësimin e përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, si dhe ka përpiluar raporte të vlerësimit për prona rezidenciale më datë 31.10.2022, për të cilat janë njoftuar të gjitha Komunat.Përgjatë vlerësimit të pronave rezidenciale, Departamenti i Tatimit në Pronë ka bashkëpunuar ngushtë me komunat për të përcaktuar çmimin për m2 për objekte dhe toka”.

E një ditë pasi kjo çështje pati një diskutim të gjerë, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u morë vendim që të ndahet nga 50 euro për sektorin publik, në kuadër të pagës së muajit janar.

“U vazhdua shtesa prej 50 euro për muajin janar për punëtorët e sektorit publik, në kuadër të Pakos së Përballjes me Inflacionin, sikurse u vazhdua shtesa për punëtorët shëndetësorë edhe për muajin janar”,u tha në njoftimin e qeverisë.

Në lidhje me këtë, Rahoveci.info ka kontaktuar ish-kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.

Me këtë rast, Mustafa ka vlerësuar se sa u përket ndihmave, Qeveria duhet që menjëherë të korrigjojë vendimin e Ministrisë së Financave, e që lidhet pikërisht me rritjen e tatimit në pronë.

“Sa u përket ndihmave, Qeveria duhet që menjëherë të korrigjojë vendimin skandaloz të Ministrisë së Financave, për rritjen e bazës për llogaritjen e tatimit në pronë”,tha ai.

Madje Mustafa këtë vendim e ka cilësuar si “plaçkitje”, e që sipas tij vetëm njerëzit e papërgjegjshëm për jetën e qytetarëve mund ta bëjnë këtë.

“Një plaçkitje që vetëm njerëzit e papërgjegjshëm dhe të pandjenja për jetën e qytetarëve mund ta bëjnë”,shtoi ai.

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se kjo nuk mbulohet me 50 euro.

“Nuk mbulohet kjo plaçkitje me 50 euro”,theksoi ai.

Ndryshe Qeveria e Kosovës për disa herë radhazi ka marrë vendim që të ndajë nga 50 euro për sektorin publik në vend.

Madje këto në disa raste janë parë edhe si vendim jo i duhur, për shkak të ishte theksuar se nevoja e ngritjes së pagës dhe pensioneve do të ishte më e konvenueshme, në mënyrë që qytetarëve të mos u ofrohen vetëm “ndihma” të ngjashme që thënë shkurt me ngritjet ekstreme të çmimeve që ndodhën përgjatë viteve të fundit nuk ndihmojnë thuajse asgjë.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!