Interpelanca për Thumanë- Kashar, Balluku në Kuvend: Rrugë e kategorisë A, pakt me banorët, zgjidhje provizore derisa të bëhet mbikalimi
Zv.kryeministrja Belinda Balluku tha në Kuvend se banorët e Thumanës kanë rrugë alternative, por në të ardhmen mund të kenë edhe një mbikalim që do ta zgjidhë problemin e qarkullimit.
Duke iu përgjigjur deputetëve të Partisë Demokratike, ajo tha se ky aks rrugor, i kategorisë A, sipas parametrave europiane, nuk i ka pasur të parashikuar katër nyje në projektin fillestar, por vetëm tre.
“Kur flitet për autostrada qeveria shprehet krenare se Shqipëria ka filluar të ndërtojë infrastrukturën e saj rrugore me parametrat europianë. Sot Korridori Blu kalon tej për tej në Shqipëri, kemi segmentin Thumanë- Kashar, i cili do të jetë një shembull për t’u marrë për të gjitha autostradat në vazhdim. Kështu do të jenë të gjitha segmentet e jugut. Shqipëria do të përshkruhet me një korridor të kategorisë A. kur ndërtojmë autostrada të këtij niveli ka edhe një problematikë që u lind këtyre komuniteteve. Kërkohet të ketë hyrje të dizenjuara dhe jo hyrje dalje”, tha Balluku.
Sipas saj “Për shkak të kërkesave për sigurinë rrugore, ka pasur ndërhyrje të shumta të cilat kanë qenë publike, transparente. Kemi pasur një garë që u zhvillua në pandemi, pa sukses dhe u detyruam ta rihapnim pas pandemisë. Katër nyje Thumanë- Kashar nuk i ka pasur, ka dy nyje që janë pjesë e projektit. Ndërkohë që pjesë e studimit kanë qenë 3 nyje. Dy nyjet e Kasharit janë të ndërtuara, hyrja e Rinasit dhe Kasharit. Ajo nyje që do zgjidhë përfundimisht problemin e Thumanës, është nyja që ndodhet si pjesë e projektit që do vazhdojë nga Thumana në Milot. Është vetëm 4 km larg nga mbikalimi në Gramëz”.
Zv.kryeministrja tha më tej se “I kemi dhënë një zgjidhje provizore kërkesës së banorëve të Thumanës. Ka rrugë alternative për të gjitha rrugët që ndërtohen me pagesë. Sot Thumana ka rrugë alternative, por kërkesa është që rruga alternative është e gjatë dhe nuk është në gjendje të mirë. Kemi rënë dakord me banorët e Thumanës që mund ta konsiderojmë që mbikalimin e Gramzës në të ardhmen ta kthejmë në nyje permanente”.
Lajmet Interpelanca për Thumanë- Kashar, Balluku në Kuvend: Rrugë e kategorisë A, pakt me banorët, zgjidhje provizore derisa të bëhet mbikalimi >> Rahoveci INFO.