Ia mbathi vrapit pas seancës gjyqësore, Gjykata tregon çfarë ndodhi me mjekun Edmond Gashi: Doli nga dera e gjyqtarëve, iku pa policë
Gjykata e Tiranës ku u zhvillua dhe seanca gjyqësore me personat e përfshirë në skandalin e Spitalit të Onkologjisë, ka reaguar për një video të publikuar nga mediat teksa Edmond Gashi del nga ambientet e institucionit me vrap. Përmes një njoftimi për media, Gjykata bën me dije se mjeku është larguar nga dera e posaçme e gjyqtarëve e punonjësve të institucionit të drejtësisë, nga ku nevojitet autorizimi për hyrje-dalje, si dhe ishte i pa shoqëruar nga uniformat blu.
“Kështu, në datën 27.06.2024, për paraqitjen dhe pjesëmarrjen e tij në seancën e caktuar për “Komunikimin e masës së sigurimit personal të caktuar në mungesë nga Gjykata”, në zbatim të nenit 248 të K.Pr.Penale, personi nën hetim Edmond Gashi, do të duhej të ishte i shoqëruar nga punonjës të policisë së shtetit, të cilët në zbatim të vendimit të gjykatës si dhe në referim të nenit 237 të K.Pr.Penal, duhet të ndjekin dhe të zbatojnë me përpikmëri vendimet e gjykatës, si dhe zbatueshmërinë e masave të sigurimit.
Me përfundimin e seancës gjyqësore, pasi gjyqtarja ka lënë sallën e gjyqit, po kështu me rradhë pas saj edhe prokurori, avokatët, si dhe vetë personat nën hetim, shtetasi E. G., teksa ka qënë në korridorin e katit të parë të gjykatës, duke përfituar nga një moment i vetëm në të cilin një punonjëse e gjykatës ka qënë duke dalë në rrethana krejtësisht rastësore nga dera e cila shërben për hyrjet dhe daljet e autorizuara vetëm të gjyqtarëve dhe punonjësve të gjykatës (me karta të posaçme), ka dalë i shoqëruar edhe nga një shtetas tjetër, duke u larguar me vrap, i pa shoqëruar nga asnjë punonjës i policisë së shtetit”, informon Gjykata e Tiranës
Lajmet Ia mbathi vrapit pas seancës gjyqësore, Gjykata tregon çfarë ndodhi me mjekun Edmond Gashi: Doli nga dera e gjyqtarëve, iku pa policë >> Rahoveci INFO.