I vjen fundi radios publike në Sllovaki

Me nxjerrjen e një ligji të ri për mediat, Sllovakia i jep fund lirisë së mediave. Qeveria shpërbën radion publike duke krijuar një radio shtetërore.

Më 20 qershor 2024 u dëgjuan këmbanat për vdekjen e radios shtetërore publike në Sllovaki. Këshilli Kombëtar i vendit 5,5 milionë banorësh aprovoi në një proces të përshpejtuar një ligj për mediat, i cili kritikohet shumë. Ligji pritet të hyjë në fuqi më 1 korrik. 78 nga gjithsej 150 deputetë, të gjithë përfaqësues të koalicionit populist- nacionalist në pushtet të përbërë nga tri parti, ngritën dorën pro ligjit të ri të mediave. Opozita e bojkotoi votimin.

Shpërbërjen e radios publike RTVS dhe fillimin e një radioje të re shtetërore STVR e kërkon presidenti i shtetit, Peter Pellegrini, një besnik i kryeministrit, Robert Fico. Me nënshkrimin që ai i bëri ligjit, RTVS do të kthehet në STVR, Televizion dhe Radio Sllovake.

Protesta kundër ligjit

Por ligji i ri nuk ka të bëjë vetëm me ndryshimin e emrit të stacionit. „Ne shqetësohemi, se ligji i ri ka një synim: kontrollin e transmetimeve,“ thotë për agjencinë e lajmeve KNA, gazetarja e RTSV, Sona Weissova. Presioni i qeverisë Fico nuk kufizohet vetëm tek mediat publike, por prek edhe transmetuesit dhe gazetat private si dhe institucionet e tjera kulturore.

“Sot Parlamenti i dha goditjen e fundit mediave të lira publike,“ kritikon Michael Simecka, kryetar i partisë më të madhe opozitare, Partisë Progresive të Sllovakisë. “Që nga 1 korriku ato do të zëvendësohen nga STVR servile dhe e përulur.” Edhe Shoqata e gazetarëve gjermanë (DJV) shprehu shqetësimin e saj. Shpërbërja e transmetuesve publikë është „shkelje e rëndë e vlerave themelore të Bashkimit Europian“, tha kryetari i DJV, Mika Beuster. Ai i kërkoi Komisionit të BE të fillojë një proces të shtetit ligjor kundër Sllovakisë si vend anëtar.

“Hiqni duart nga RTV Sllovake”- shkruhet në pankartën e protuestueve, 27 mars 2024

Antisllovake apo thjesht objektive?

Mediat, që kritikojnë politikën e Ficos kanë qenë prej kohësh halë në sy për kryeministrin. Ai dhe partia që mban vetëm emrin socialdemokrate, partia Smer-SD ndjekin një kurs nacionalist. Në qeverinë e përbërë nga tri parti, bën pjesë edhe partia ultra e djathtë sllovake, SNS. Fico dhe anëtarë të tjerë të qeverisë i shërbejnë pa pushim një retorike agresive duke thënë, se RTVS është „antisllovake“ dhe ushtron aktivitete „ilegale“, pa shpjeguar qartë çfarë kanë parasysh me këto aktivitete ilegale.

Por radio publike në Sllovaki ka pasur deri tani mbështetje të madhe të popullit. Kjo u konfirmua edhe pak javë më parë nga një sondazh përfaqësues, zhvilluar nga instituti i demoskopisë, Median SK.

Gati 30 përqind e 2000 sllovakeve dhe sllovakëve të moshës nga 14 deri 79 vjeç, që u pyetën thanë se RTVS është media më objektive në Sllovaki. 17,6 përqind thanë se stacioni privat i lajmeve TA3 është më objektivi dhe 16,6 përqind se televizioni privat Markiza, i prekur po ashtu nga masat e marra nga censura është më objektivi.

Një ligj që kërkon të largojë drejtorin e radios

Ligji i ri i mediave, që pritet të hyjë në fuqi, është po ashtu leva për të shpëtuar nga drejtori i radios, Lubos Machaj. Drejtori i Përgjithshëm i RTVS, e ka marrë postin në 2022 dhe është zgjedhur për pesë vjet. Tani ai pritet të zëvendësohet nga dikush tjetër, për të cilin do të merret vendimi nga një organ i përbërë nga nëntë vetë. Në të janë të përfaqësuar nga katër anëtarë të qeverisë dhe pesë të parlamentit, në të cilin koalicioni i Ficos ka shumicën, me diferencë jo të madhe mandatesh. Kur të marrë postin, drejtori i ri do të hedhë vallen sipas muzikës së qeverisë. Pa shpërbërë RTVS kjo gjë nuk do të ishte e mundur. Machaj thotë se deri tani nuk i kanë dhënë ndonjë dëshmi, për të vërtetuar akuzat që i bëjnë se nuk raporton në mënyrë objektive. Ka kohë që „nomeklatura aktuale e qeverisë ka filluar të preferojë media të tjera.“ Kështu për shembull ministrive iu është kërkuar të bojkotojnë RTVS.

Kryeministri, Robert Fico

Protesta pa efekte

Më kot kanë protestuar muajt e fundit punonjësit e RTVS dhe publiku kundër shpërbërjes së radios. Në pranverë mijëra sllovakë dolën në rrugë në shumë qytete të vendit dhe treguan solidaritet me radion e tyre publike. Shoqatat e gazetarëve, të vendit dhe të huaja organizuan aksione të mëdha kundër ligjit të ri, duke përfshirë edhe EBU-në, Unionin Europian të Radio-Televizioneve. “Po ecim mbrapa “, thotë Katharina Weiss nga organizata Reporterët pa Kufij. “Armiqve të lirisë së shtypit në Sllovaki po u dëgjohet zëri gjithnjë e më shumë.“

Kështu deputeti nacionalist Roman Michelko (SNS), kryetar i Komisionit parlamentar për kulturën dhe mediat, kërcënoi gazetaret dhe gazetarët me ndalimin e mikrofonëve dhe kamerave në emisionet televizive me biseda politike, Talkshows. Drejtuesit e rinj të STVR do të vendosin kush do të lejohet në të ardhmen të drejtojë emisionet.

Por armiku më i madh i lirisë së shtypit është Robert Fico vetë. Ai i hedh benzinë zjarrit kur akuzon mediat, se janë përgjegjëse për vënien e jetës së tij në rrezik. Më 16 maj 2024 ai mezi i shpëtoi një plumbi të një atentatori.Reporteri i RTVS-së, Vladimir Amirch i hedh poshtë këto akuza. Ai është krejt i papërgjegjshëm kur bën përgjegëse mediat për këtë atentat, thotë ai. “Asnjë stacion lajmesh, të paktën kur kemi të bëjmë me mediat tradicionale, nuk ka bërë thirrje për dhunë politike.”

Sllovakia, një vend shumë i përçarë

Sllovakia, anëtare e BE dhe NATO-s që prej 20 vjetësh, është vendi më i ri problematik i Europës, jo vetëm për politikën e mediave. Në fillim të vitit, qeveria shpërbëu Prokurorinë Speciale kundër korrupsionit. Tani e ka nisur me mediat. Është e trishtueshme, që 35 vjet pas rënies së kufirit midis Lindjes dhe Perëndimit të Europës, „politikanë dhe oligarkë e kanë zënë për fyti këtë shtet dhe marrin vendime për të ardhmen e Sllovakisë,“ thotë Lubos Machaj, drejtori i Radios Publike të Sllovakisë, radio që pritet të dërgohet në varreza. /DW

Lajmet I vjen fundi radios publike në Sllovaki >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>