Hoti kritika Qeverisë për rritjen e tatimit në pronë: Barra tatimore do të rritet për pronat me vlerë të madhe
Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka komentuar Ligjin e ri për Tatimin në Pronë. Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se nga janari 2025, tatimi në pronë rritet deri në trefish
“Sipas ligjit të ri të tatimit në pronë, nga janari 2025 zbatohet norma progresive e tatimit në pronë, si në vijim:
– Pronat me vlerë deri në 100,000 euro – norma minimale 0.10%,
– Pronat me vlerë 100,000-500,000 euro – norma minimale 0.20%,
– Pronat me vlerë 500,000-1,000,000 euro – norma minimale 0.30%,
– Pronat me vlerë 1,000,000-5,000,000 euro – norma minimale 0.40%,
– Pronat me vlerë mbi 5,000,000 euro – norma minimale 0.50%.”, ka shkruar Hoti.
Si rezultat i kësaj sipas deputetit të LDK-së Avdullah Hoti barra tatimore do të rritet veçanërisht për pronat me vlerë të madhe.
“Norma progresive e tatimit në pronë nuk ka kuptim ekonomik për disa arsye. E para, ngarkesa tatimore në pronë është progresive për nga mënyra e llogaritjes – sa më e lartë vlera e pronës, aq më e lartë ngarkesa tatimore. E dyta, të hyrat e shtetit nga tatimi në pronë nuk kanë vetëm qëllime fiskale, pasi ato përdoren kryesisht për mbulimin e kostove të shërbimeve publike të lidhura me ato prona. E treta, të ardhurat që zotëruesi i pronës i ka përdorur për blerjen e pronës janë tatimuar më herët, ndërkaq të ardhurat që zotëruesi i pronës i gjeneron nga prona tatimohen si të hyra nga qiraja. Përveç kësaj anomalive, ligji i ri i tatimon edhe tokat bujqësore të kultivuara, të cilat me ligjin paraprak ishin të liruara për të nxitur pronarët t’i kultivonin ato ose t’i jepnin në shfrytëzim.”, ka shkruar Hoti.
Më tej ai ka thënë se përvojat ndërkombëtare nuk i rekomandojnë këto norma.
“ Siç kanë vlerësuar disa organizata ndërkombëtare, këto ndryshime janë bërë pa asnjë analizë paraprake dhe pa konsultim me ata që preken nga ky ndryshim, në veçanti bizneset.”, ka përfunduar Hoti./21Media