Historiku i dialogut teknik Kosovë –Serbi

Bisedimet teknike në mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë filluar më 8 mars 2011. Ideja ka qenë që të diskutohen çështjet teknike që do ta bënin më të lehtë jetën e përditshme për qytetarët e të dyja shteteve.
Deri te fillimi i bisedimeve ka ardhur pasi që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 2010 miratoi rezolutën e sponsorizuar nga 27 vendet e atëhershme të Bashkimit Evropian dhe Serbia, e cila hapi rrugë për fillimin e dialogut Kosovë –Serbi, të lehtësuar nga BE-ja, me qëllim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në një gjë të tillë kontribuoi mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010, sipas të cilit, “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk paraqet shkelje të së drejtës ndërkombëtare”, pati shkruar REL.
Sidoqoftë, edhe pse në fillim u paralajmërua që Kosova do të bisedojë me Serbinë vetëm për çështje teknike –të cilat janë udhëhequr nga ekipet teknike të të dyja shteteve – në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogun teknik në vitin 2011 e ka udhëhequr Qeveria e Kosovës, dhe në krye të ekipit negociator të Kosovës ishte Edita Tahiri. Serbinë e ka përfaqësuar Borko Stefanoviq, ndërkaq ndërmjetësuesi i BE-së ishte Robert Cooper. Në vitin 2014, kryenegociator i Serbisë u bë Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe.
Deri më tani janë arritur mbi 23 marrëveshje në dialogun në nivelin teknik dhe politik.
Marrëveshja e parë e arritur më 2011 ishte për regjistrat civil, pastaj marrëveshja për lirinë e lëvizjes, vulat doganore, pranimin e diplomave, për menaxhimin e integruar të kufirit, për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal, për telekomin dhe për vizitat zyrtare.
Në vitin 2015 është arritur marrëveshja për shpërbërjen dhe integrimin e të ashtuquajturës “Mbrojtja civile” në veri të Kosovës, marrëveshja për njohjen reciproke të policave të automjeteve, për energji, si dhe marrëveshja për cetifikatat ADR.
Ndërkaq, në janar të vitit 2017, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen për integrimin e gjyqësorit në veri të vendit.