Hezbollahu e konfirmon, sulmet izraelite vranë liderin Hassan Nasrallah
Në një deklaratë të lëshuar pak çaste më parë, Hezbollah konfirmon se lideri i tij Hassan Nasrallah ka ndërruar jetë.
Kjo deklaratë vjen ndërsa Izraeli ka pretenduar që nga mbrëmja e djeshme, se si pasojë e sulmeve në Bejruut, ishte eliminuar lideri i grupit që konsiderohet prej tyre terrorist.
Hassan Nasrallah, udhëheqësi i lëvizjes militante shiite islamike Hezbollah në Liban, ishte një nga figurat më të njohura dhe më me ndikim në Lindjen e Mesme.
Nasrallah nuk është parë në publik prej vitesh për shkak të frikës se mund të vritej nga Izraeli.
Një person me lidhje të ngushta personale me Iranin, ai luajti një rol kyç në kthimin e Hezbollahut në forcën politike dhe ushtarake që është sot – dhe mbetet i admiruar nga mbështetësit e grupit.
Nën udhëheqjen e Nasrallahut, Hezbollahu ka ndihmuar në trajnimin e luftëtarëve të grupit të armatosur palestinez Hamas, si dhe grupet e tjera në Irak dhe Jemen, dhe ka marrë raketa e armë nga Irani që t’i përdorë kundër Izraelit.
I lindur në vitin 1960, Hassan Nasrallah u rrit në lagjen lindore të Bejrutit, Bourj Hammoud, ku babai i tij Abdul Karim kishte një dyqan të vogël perimesh. Ai ishte më i madhi nga nëntë fëmijët.
Ai iu bashkua lëvizjes Amal, atëkohë një grup militant shiit, pasi Libani hyri në luftë civile në vitin 1975. Pas një kohe të shkurtër në qytetin e shenjtë të Irakut, Najaf, për të ndjekur një seminar shiit, ai iu ribashkua Amalit në Liban përpara se ai dhe të tjerët të ndaheshin nga grupi në vitin 1982, pak pasi Izraeli pushtoi Libanin në përgjigje të sulmeve të militantëve palestinezë, raporton BBC.
Grupi i ri, “Amal Islamic”, mori mbështetje të konsiderueshme ushtarake dhe organizative nga Garda Revolucionare e Iranit me bazë në Luginën Bekaa dhe u shfaq si më e spikatura dhe më efektive nga grupet militante shiite që më vonë do të formonin Hezbollahun.
Në vitin 1985, Hezbollahu zyrtarisht shpalli themelimin e tij duke botuar një “letër të hapur” që identifikonte SHBA-në dhe Bashkimin Sovjetik si armiqtë kryesorë të Islamit dhe bëri thirrje për “zhdukjen” e Izraelit, për të cilin thoshte se po pushtonte tokat myslimane.
Nasrallahu u ngjit në radhët e Hezbollahut gjersa organizata u rrit. Ai tha se pasi shërbeu si luftëtar, u bë drejtor në Baalbek, pastaj në të gjithë rajonin Bekaa, duke arritur kështu Bejrutin.
Ai u bë lider i Hezbollahut në vitin 1992 në moshën 32-vjeçare, pasi paraardhësi i tij Abbas al-Musaëi u vra në një sulm me helikopter izraelit.
Lajmet Hezbollahu e konfirmon, sulmet izraelite vranë liderin Hassan Nasrallah >> Rahoveci INFO.