Guerot mirëpret vendimin e Qeverisë për hapjen e kufirit në Merdare për mallrat serbe
Ambasadori i Francës, Oliver Guerot e ka përshëndetur vendimin e qeverisë për heqjen e kufizimit të mallrave serbe përmes pikës kufitare të Merdares.
Ai e ka cilësuar këtë si vendim të rëndësishëm.
“E mirëpres vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e pikës kufitare Merdare për mallra nga Serbia. Ky është një vendim i rëndësishëm që mundëson progres në integrimin rajonal (procesi i Berlinit) dhe drejt integrimit evropian. Qasja multilaterale e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve sjell fryte të qëndrueshme”, ka shkruar ai në X
Qeveria Kosovës të hënën ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për mallrat që nisen nga Serbia. Qeveria e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi i plotë, në kontroll të shtuar, deri në sigurim të skanerëve të avancuar. Qeveria e Kosovës e kishte vendosur ndalesën ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe./21Media