Gjykimi në Hagë / Avokati i Januzit: Shuma që na ofroi MD për mbrojtje ishte e papranueshme

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, është mbajtur konferenca e pestë mbi ecurinë e çështjes ndaj Ismet Bahtjarit, Sabit Januzit dhe Haxhi Shalës. Avokat i Januzit, Jonathan Elystan Reese tha se shuma që ua ka ofruar Ministria e Drejtësisë për mbrojtje ishte e papranueshme.

Reese tha se ata kanë apeluar vendimin, i cili sipas tij u ishte rrëzuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Kërkesa jonë për financim u refuzua nga një vendim që ishte krejt i paarsyeshëm. Shuma që na është ofruar nuk ka asnjë mundësi që të jetë e arsyeshme dhe e pranueshme, kjo është e vërteta. Ne e apeluam ofertën që na u bë dhe na u rrëzua apelimi, e nuk pati kurrfarë arsyetimi në vendimin e tyre.”, tha Reese.

Sipas tij, e vetmja masë që mund ta marrin është që të kërkojnë një rishikim administrativ të vendimit të tyre dhe shtoi se aktualisht janë duke e përgatitur këtë kërkesë.

“Na ka lënë në një situatë ku duhet të diskutojmë nga pikëpamja ligjore… dhe të marrim masa juridike kundër Zyrës Administrative si zgjedhja e vetme që kemi ne në mënyrë që të garantojmë që z.Januzi të këtë një gjykim të drejtë. Ne kemi përcaktuar një listë kërkesash për t’ua bërë me dije Zyrës Administrative që do të bëjë të mundur që t’i bëjmë parashtrimet tona për Dhomën Kushtetuese kundër vendimit të Zyrës Administrative në mënyrë të tillë që të përcaktohen nga kjo dhomë ndryshimet e njëanshme nga Zyra Administrative ”, tha Reese.

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou tha se gjatë kësaj seance do të flitet për financimin, nxjerrjen e materialeve provuese, ecurinë e hetimeve të ZPS-së, statusin e hetimeve nga ana e mbrojtjes, si dhe për transmetimin e dosjes gjyqësore dhe kur do të jenë palët që të fillojë gjykimi.

Po ashtu, gjyqtari tha se mbrojtja e Bahtjarit kishte parashtruar për kontrollë mjekësore ndaj klientit të tij.

“Vërej së mbrojtja e Bahtjarit ka theksuar nevojën për një kontrollë mjekësore të të akuzuarit. Mbrojtja e Bahtjarit thotë se Bahtjari ka shumë probleme shëndetësore që kërkojnë një kontrollë nga një specialist në katër konteste; aftësia e tij për të nënshkruar, gjendja e tij për të qëndruar gjatë gjykimit, aftësia e tij konjektive gjatë kohës të shkeljeve të pretenduara dhe shëndeti i tij pas transferimit në objektet e paraburgimit”, tha gjyqtari.

Si rrjedhojë, gjyqtari Guillou ftoi mbrojtjen e Bahtjarit për të dorëzuar një parashtrim me shkrim ex-parte, duke treguar specifikisht problemet shëndetësore të të akuzuarit.

“Në mënyrë që të gjejmë një mjek specialist që ka edhe kualifikimet e duhura, llojin e vlerësimit që duhet bërë gjegjësisht nëse kontrolli duhet bërë për situatën e z.Bahtjarit pas transferimit në objektin e paraburgimit në DhSK-së, gjendjen shëndetësore kur pretendohet se ka ndodhë vepra penale apo për të dyja këto situata”, tha gjyqtari.

Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtjarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.

Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) kishte dorëzuar me 12 janar aktakuzën e përbashkët për çështjen gjyqësore të Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit dhe atë të Haxhi Shalës.

Në seancën e parë,  para gjyqtarit të procedurës paraprake, Nicolas Guillou, Bahtjari dhe Januzi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që iu vihen barrë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.

Më 6 tetor, në një njoftim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar është thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuar dhe transferuar në Hagë nën dyshimin se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.

Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtjari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Lajmet Gjykimi në Hagë / Avokati i Januzit: Shuma që na ofroi MD për mbrojtje ishte e papranueshme >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>