Gërvalla sulmoi keq Lajçakun, reagon BE: Deklarata të paargumentuara dhe të papranueshme

Pretendime të pasakta i ka cilësuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, deklaratat e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla, lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Gërvalla të enjten gjatë një interviste për televizionin publik, ka akuzuar Miroslav Lajçakun, të dërguarin e BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për dështim në këtë proces.

“Ai ka hyrë pa strategji dhe pa vizion në këtë proces të dialogut dhe si duket, i tillë do të largohet nga ky dialog kur t’i skadojë mandati”, është shprehur Ministrja e Punëve të Jashtme.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Stano, i cili në një përgjigje me shkrim për Telegrafin ka thënë se “nëse orientimi strategjik i Kosovës është vërtet BE-ja dhe nëse Kosova dëshiron të vazhdojë në këtë rrugë, deklaratat e përhershme kritike të paargumentuara kundër BE-së dhe përfaqësuesve të saj thjesht nuk janë të pranueshme”.

Ai tutje ka deklaruar se sa i përket dialogut “është absurde të flitet për mungesë vizioni, strategjie dhe rezultatesh të procesit të lehtësuar nga BE-ja në një situatë kur BE-ja dhe SHBA -ja propozuan Marrëveshjen për Rrugën drejt Normalizimit”.

“Për të cilën ranë dakord edhe kryeministri Kurti edhe presidenti Vuçiq, dhe që ofron një platformë të qartë për rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Stano ka theksuar se falë ndihmës së BE-së, gjatë periudhës 2019-2024 janë arritur një serë marrëveshjesh mes dy vendeve. Këtu ai ka përmendur Udhërrëfyesin e Energjisë, njohjen e fundit të targave, njohjen e kartave të identitetit dhe siç ka thënë, shumë rezultate të tjera me ndikim dhe përfitime konkrete për njerëzit në Kosovë dhe për jetën e tyre.

“E gjithë kjo përveç përpjekjeve të vazhdueshme për të zbutur krizat e shkaktuara nga vendime apo veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara”.

Përveç kritikës ndaj Lajçakut, Gërvalla e ka kundërshtuar edhe draftin e statutit të Asociacionit te komunave me shumicë serbe, që po ashtu është propozuar nga BE-ja, në një përpjekje për të ecur përpara me themelimin e Asociacionit.

E lidhur me këtë, Stano ka thënë se Asociacioni është zotim i kahershëm ligjor i Kosovës.

Sipas tij, statuti është hartuar nga BE-ja pas dështimit të Kosovës për të përmbushur këtë detyrim për të paraqitur një draft nga ana e tyre, pavarësisht thirrjeve të shumta nga BE-ja dhe shtetet e saj anëtare.

“Drafti është përgatitur duke respektuar vijat e kuqe të Kosovës, me pjesëmarrjen aktive të ekspertëve juridikë ndërkombëtarë dhe është miratuar nga SHBA-ja dhe të gjitha vendet anëtare të BE-së. Edhe kryeministri i saj Kurti deshi ta nënshkruajë dhe ta zbatojë ashtu siç është”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.

E Gërvalla në intervistën e saj ka folur edhe për masat e BE-së ndaj Kosovës, duke thënë se janë jo vetëm të padrejta, por totalisht të pakuptueshme.

“Jo vetëm për ne, por për një pjesë të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Ata nuk po dinë t’i heqin, sepse nuk po dinë se për çfarë i kanë vënë”, ka deklaruar kryediplomatja.

Lidhur me këtë, Stano ka thënë se BE-ja ka bërë kërkesa specifike ndaj Kosovës për de-përshkallëzimin e situatës në veri dhe se ato i janë komunikuar qartë dhe në mënyrë të përsëritur palës kosovare.

Megjithatë sipas tij, Kosova ende nuk i ka përmbushur plotësisht këto kërkesa.

“Kjo është arsyeja pse BE-ja është ende duke zbatuar masa ndaj Kosovës, siç janë përcaktuar qartë në konkluzionet e miratuara unanimisht nga 27 shtetet anëtare të BE-së në dhjetor”.

Gërvalla ka folur rreth vlerësimeve nga BE-ja për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjkës.

“Ka pasur vlerësime të ndryshme nga ana e institucioneve të BE-së, të cilat kanë quar në një vlerësim të gabuar të asaj çfarë ka ndodhur në Kosovë. Fakti që BE-ja, edhe pas deklaratave e rezolutave të Parlamentit Evropian, edhe pas deklaratave të ndryshme të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, BE-ja si institucion pra, ajo pjesë e institucioneve të BE-së, që merret me politikën e jashtme të BE-së, konkretisht zyra e Borellit nuk kanë arritur të japin verdiktin për atë që ka ndodhur në Banjskë”, është shprehur ajo.

Por sipas Stanos, kjo nuk ka të bëjë fare me punën e përfaqësuesve specialë të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi.

“Para se gjithash, kjo nuk ka të bëjë fare me punën e përfaqësuesve specialë për dialogun Beograd-Prishtinë. Është gjithashtu i pavërtetë pohimi se ‘EULEX-i i ka të gjitha faktet’ pasi që BE-ja ende është në pritje të finalizimit të hetimeve zyrtare nga autoritetet e Kosovës”.

Ai tutje ka thënë se BE-ja nuk po kryen asnjë hetim më vete për këtë sulm dhe se as nuk ka mandat për ta bërë këtë. “Që nga viti 2018, EULEX-i nuk ka më mandat ekzekutiv për të kryer ndonjë hetim. BE-ja ka dënuar vazhdimisht sulmet në termat më të fortë të mundshëm, ka ofruar mbështetje në proces dhe ka shprehur në nivelin më të lartë politik nevojën që hetimi të përfundojë shpejt dhe të gjithë përgjegjësit të japin llogari”.

Lajmet Gërvalla sulmoi keq Lajçakun, reagon BE: Deklarata të paargumentuara dhe të papranueshme >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>