Gërvalla njofton se Kosova po përgatit draft-statutin për Asociacionin, i dërgon letër drejtuesve të KiE-së
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se mëngjesin e kësaj të enjte, i ka nisur një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Megjithëse, ekziston një dokument i përgatitur nga Bashkimi Evropian, kryediplomatja kosovare ka thënë se letra përmban zotimin e Qeverisë së Kosovës për të përgatitur një draft të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ajo ka thënë se drafti do jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e aplikueshme në vend.
Disa vende anëtare të Këshillit të Evropës i kanë vënë kushtin Kosovës që të nis draftin e Asociacionit në Kushtetuese, në mënyrë që ato të japin votën pozitive të anëtarësimit të Kosovës në KiE, raporton Rahoveci INFO.
Megjithëse, kryeministri në disa paraqitje ka thënë se asociacioni është vënë si kusht i ri, ka qenë ambasadori gjerman, që ka deklaruar se kryeministri e ka ditur nga fillimi se pa dërgimin e draftit të asociacionit, nuk mund të ketë votë pozitive.
Postimi i plotë:
Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit, sot në mëngjes i kam dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës.
Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.
Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njejtën kohë pamundësimon ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin.
Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte.
Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.
Lajmet Gërvalla njofton se Kosova po përgatit draft-statutin për Asociacionin, i dërgon letër drejtuesve të KiE-së >> Rahoveci INFO.