Gërvalla beson se ka njerëz në LDK që do ta shtynë Abdixhikun të ndërrojë qëndrim ndaj VV-së

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, është shprehur optimist se ka njerëz në LDK që do ta rrisin presionin nga kryetarit Lumir Abdixhiku që të ndërrojë qëndrim karshi LVV-së dhe të pranojë ftesat e tyre për bashkëpunim.
“Dua ta besoj, brenda LDK-së dhe jashtë saj, ka ende njerëz që mendojnë përtej interesit personal, do ta rrisin presionin nga kryetarit Abdixhiku që LDK-ja të bëjë lëvizje pozitive në të mirë të Kosovës”, ka thënë Gërvalla të premten pasi dështoi përpjekja e 13-të për konstituim të Kuvendit.
Në prononcim për media, Gërvalla ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet sa më parë, duke theksuar se nuk ekziston asnjë alternativë tjetër përveç ecjes përpara me proceset institucionale.
“Është krejt i pakuptueshëm vazhdimi i kësaj bllokade. Kuvendi duhet të konstituohet, nuk ka alternativë”, ka deklaruar Gërvalla, duke akuzuar opozitën për pengimin e qëllimshëm të formimit të institucioneve.