Gërvalla: Anëtarësimi i Kosovës në Kartën e Adriatikut ndikon pozitivisht në rajon
Shefja e diplomacisë kosovare Donika Gërvalla, në takimin e Kartës SHBA-Adriatik (A-5) në Nju Jork, ka shprehur përkushtimin për integrimin euroatlantik duke thënë se Kosova është e përgatitur për të kontribuar për paqe dhe stabilitet.
Ajo tha se integrimi i plotë i Kosovës në strukturat euroatlantike është i domosdoshëm për të garantuar një rajon të qëndrueshëm dhe për të përballuar sfidat e sigurisë të intensifikuara nga ndikimet negative të Rusisë dhe aleatëve të saj në rajon.
Gërvalla kërkoi një bashkëpunim më parimor në mes të vendeve të A-5, për të përballuar sfidat e sigurisë, të cilat paraqesin rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin dhe Evropë, duke vënë në pah se integrimi euroatlantik i Kosovës dhe rajonit është jetik për një të ardhme të qëndrueshme dhe paqësore.
“Anëtarësimi i plotë i Kosovës në Kartën e Adriatikut do të përforconte përpjekjet për një rajon më të qëndrueshëm dhe të integruar. Prandaj nevojiten veprime të përbashkëta për t’i rezistuar kërcënimeve të përbashkëta dhe për të garantuar paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në rajon”, tha Gërvalla.