Geci: Kur ka vdekur familja Jashari disa këtu janë gëzuar
Gjatë kundërpyetjeve të ekipit mbrojtës, dëshmitari Fadil Geci tha se disa i janë gëzuar vdekjes së familjes Jashari. Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se komunikata 59, është shkruar me qëllim, siç u shpreh ai, që të largohet nga skena politike.
Avokati i Hashim Thaçit, Luko Mishetiq ka pyetur dëshmitarin e prokurorisë se cila ka qenë arsyeja që është shkruar komunikata 59.
Geci: Unë e besoj për me më heq prej skenës politike, mbasi e kanë heq familjen Jashari se ky grup i donë vetëm të vdekurit, nuk i donë të gjallët. Rifati është legjendë e nuk e dëshiron askush këta hiç, as të shtëpia nuk i shkojnë. Mbasi është vdek Ademi është i mirë e nuk mund të flet, a në realitet kur janë vdek janë gëzuar. Këta nuk e besojnë po popullata le të dinë. Kur janë vdek familja Jashari disa, jo tanë, kërkoj falje se disa këtu e dinë se për cilët po them jo, janë gëzuar se janë vdekur se na ka mbet ne me u merr dhe familja Geci ishte pengesë, isha unë dhe neve na etiketuan”, tha Geci.
Paraprakisht avokati Miteshiq e pyeti dëshmitarin se a ishte e vërtetë që Gani Geci e kishte qëlluar me armë Abedin Rexhën e njohur si “Sandukani”. Por, Geci tha se kjo është vërtetuar me ekspertizë mjeko-ligjore.
Gecit i është shfaqur një video e kuvendit të delegatëve të LDK-së, të cilët u përfshinë në dhunë fizike, për çka ai akuzoi Fatmir Sejdiun e Sabri Hamitin për përçarje të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Fatmir Sejdiu dhe Sabri Hamiti në marrëveshje me këta kanë përçarë dhe kanë ndarë LDK-në dy copësh për të arritur qëllimet dhe për të ardhur në punë të veta”, shtoi Geci.
Geci është thirrur nga prokuroria që të jap informacione lidhur me autorësinë e asaj që njihet si komunikata 59-të, si dhe për kërcënimet që ai pretendon se Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi i kanë bërë Tahir Zemajt.
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka filluar më 3 prill të vitit 2023.
Ish-krerët e UÇK-së po gjykohen për krime të pretenduara të luftës dhe po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.