Gazetari i BBC rrëfen për tërheqjen e ushtrisë serbe në qershor të vitit 1999 nga Prizreni
Korrespondenti special i BBC, Jeremy Bowen, ka ndarë eksperiencën e tij që pati gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Ai ka rrëfyer momentin e dokumentimit të momenteve kur forcat serbe bënin tërheqjen nga qyteti i Prizrenit në qershor të vitit 1999.
“Ajo që ishte vërtetë e mrekullueshme nga pikëpamja gazetareske për të bërë ato rrëfime ishte fakti se ne kishim qasje. Shumë shpesh këto ditë, dhe Gaza është një shembull i mirë i kësaj dhe unë jam përpjekur ta raportojë atë histori, ne nuk e kemi atë qasje. Por atëherë ne e patëm atë qasje në Kosovë dhe ne ishim aty teksa gjërat po ndodhnin dhe arritëm të kapnim disa skena shumë të fuqishme, të cilat me të vërtetë e tregonin thellësinë e konfliktit, hendekun në mes të dy palëve dhe mënyrën se si kishte kaq shumë urrejtje nga të dyja palët”, ka thënë gazetari i BBC-së, në “Kallxo Përnime”.
Ai shtoi se në Kosovë ka hyrë bashkë me forcat e NATO-s.
“Ata nuk na lanë të hynim. Por ne mundëm të hynim me NATO-n. Pastaj u hap i gjithë vendi. Për shkak se ne hymë në të njëjtën kohë me trupat dhe më pas mundëm të lëviznim lirshëm, i vetmi kufizim i vërtetë ishte frika se mund të shkelnim një minë ose ndonjë bombë të pashpërthyer. Ne ishim në gjendje, siç do ta mbani mend, të shkonim në vende kur u hapën, kur njerëzit nuk kishin parë të huaj për një kohë të gjatë, kur ende, në disa raste, ka ende kishte trupa të shtrirë përreth vendit, sigurisht prova, dëshmi të freskëta të krimeve që kishin ndodhur, të masakrave”, ka thënë Bowen.
Ai ka treguar edhe për një grua të moshuar serbe në Prizren e cila kishte mbajtur kufomën e bashkëshortit të saj për 1 javë në banesë.
“Po, ne dëgjuam, dikush dëgjoi të thuhej, dikush nga ekipi jonë dëgjoi se ishte një grua dhe ndoshta kishte një trup në ndërtesë me të në apartamentin e saj. Ishte bash në qendër, në fakt, në Prizren. Ajo ishte e moshuar dhe ishte vërtetë e hutuar. Ne shkuam të trokisnim në derë dhe ajo hezitoi ta hapte. Por më pas arritëm të futeshim brenda. Ajo na la të hyjmë. Ne konstatuam se trupi i burrit të saj të vdekur ishte në ndërtesë. Mund ta nuhasnim. Ishte në apartament me të në apartamentin e tyre, i mbështjellë në një qilim”.
“Ajo e kishte mbështjellë në një qilim. Ajo ishte e hutuar për detajet, por pak a shumë tha se ai kishte vdekur gjatë disa kontrolleve të forcave të UÇK-së. Ajo kishte aluduar se ndoshta ata mund ta kishin vrarë ose ndoshta ai thjesht u rrëzua. Ne thjesht nuk e dimë. Ajo ishte shumë e hutuar për të pasur një kuptim të madh. Por fakti ishte se i vdekuri ishte aty. Ne e pamë atë. Disa ditë, po trupi po kalbej”, ka shtuar ai
Bowen ka 40 vjet që është pjesë e BBC-së, përderisa materiale të luftës së fundit në Kosovë, i ka huazuar për “Reporting House”, e cila do të qëndroj e hapur deri në mes të shtatorit.
Lajmet Gazetari i BBC rrëfen për tërheqjen e ushtrisë serbe në qershor të vitit 1999 nga Prizreni >> Rahoveci INFO.