​Gashi: Refuzimi duhet të bëhet në tavolinë, sjellja e Kurtit është problematike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi deklaroi se partitë politike duhet të ulen të bisedojnë dhe refuzimi duhet të bëhet në tavolinë. Pas ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për koalicion me LDK-në, Gashi tha se edhe refuzimi është i arsyeshëm për shkak të sjelljes së Kurtit në pesë vitet e fundit.

Ai theksoi se gjuha e përdorur në këtë letër është e papranueshme dhe se Kurtit, siç tha ai, nuk duhet t’i interesojnë çështjet e brendshme të LDK-së.

Para mediave, Gashi tha se partitë politike edhe refuzimin duhet ta bëjnë në tavolinë.

“Unë thash edhe paraprakisht, partitë politike në Kosovë duhet të sh’tensionojnë situatën, duhet të bisedojnë. Edhe refuzimin duhet ta bëjnë në tavolinë edhe të gjitha. Ky është mendim personal i imi. Gabimet politike që i ka bërë Albin Kurti janë në vazhdimësi, janë të përsëritura por në fund të fundit ne duhet të ulemi dhe të bisedojmë, qoftë edhe për të shkuar në zgjedhje. Pra, duhet të ulemi dhe të gjejmë zgjidhje qoftë edhe duke i thënë zotëri Kurtit ‘ti i ke 48 deputetë vazhdo ose tërhiqu nga mundësia e formimit të qeverisë’. Pra, ka plot opsione. Nuk do të thotë ulja në tavolinë as koalicion, as refuzim as asgjë. Do të thotë diskutim dhe diskutimi është i domosdoshëm. Nuk mundemi me i ik diskutimit”, deklaroi Gashi.

Në këtë situatë, Gashi tha se nuk ka mbledhje të grupit parlamentar dhe siç u shpreh ai “katër-pesë deputetë janë duke diskutuar”. Ai tha se vendimi për këtë ftesë për koalicion merret në mbledhje të kryesisë.

“Edhe refuzimi është i arsyeshëm. Sjellja që e ka bërë zotëri Kurti në pesë vitet e fundit është problematike, sidomos në raport me LDK-në. Edhe gjuha që e ka përdorur në letrën që e kishte dërguar për mendimin tim është e papranueshme. Nuk është në të drejtën e tij të tregojë se kush është i duhuri dhe kush nuk është i duhuri në LDK. Është e papranueshme. Nuk guxon të përdor atë gjuhë, nëse dëshiron vërtetë partneritet, nuk i interesojnë atij çështjet e brendshme të LDK-së. Siç nuk na kanë interesuar neve çështjet e brendshme të LVV-së”, shtoi ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se letra e Kurtit ishte me përulësi, por gjuha e tij jep kundërefekt.

“Ishte letra me përulësi, ishte letra me respekt por kishte disa elemente si ky elementi që ‘unë kam pasur probleme me disa të tjerë që tashmë duket se s’kanë ndikim në LDK’… Pyetje: A e ka pasur fjalën për Agim Veliun? Me siguri, por nuk është punë e tij ajo, ajo jep kundër efekt, nuk është gjuhë që duhet me u përdor, nuk është çështje e tij ajo. Siç nuk është çështje e jona problemet e brendshme që mund t’i ketë në LVV. Mendoj politikisht që partitë politike duhet të jenë të përgjegjshme, duhet të komunikojnë. Sepse nesër kush do që bëhet kryeministër do të ulet me Vuçiqin, do të detyrohet. Dhe mos me u ul mes vete me diskutua është e paarsyeshme, e palogjikshme. Kurti e ka shkatërruar besimin, e ka shkatërruar mirëbesimin në vazhdimësi, sidomos natën e entuziazmit ku ka dalë partia e parë”, përfundoi ai.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker