Fredi Beleri tregon miqësitë e reja në burg me socialistët e arrestuar
Eurodeputeti i Greqisë Fredi Beleri, ish kryetar i zgjedhur i Bashkisë Himarë, tregoi një pjesë të panjohur të 16 muave në burg.
Një kohë që i ka shërbyer për të zënë miqësi të reja, edhe pse miqtë e rinj i kishte në parim kundërshtarë politikë, ish bashkëpunëtorë të Edi Ramës.
“Në sektorin ku isha, edhe në Durrës, edhe në Fier, ndodheshin të ndaluar, subjekte të SPAK, persona politikë dbe publikë, që, në fillim u është bërë gjyqi në media dhe në publik, pastaj del SPAK dhe e certifikon gjykata. Kam qenë në burg me zotin Lefter Koka, Safet Gjici, Alqi Bllako, drejtorët e bashksië Tiranë, kryebashkiakun e Bulqizës, të Fushë Arrëzit. Nuk njihja askënd nga këta më parë, por u miqësuam, pasi ndanim të njëjtin ambient. Kam një falenderim për të gjithë, pasi më kanë respektuar dhe më kanë pritur në mënyrën më të mirë”, tha Fredi Beleri gjatë intervistës rrëfeu edhe diçka tjetër për debatet politike që bëheshin në burg mes tij dhe socialistëve të arrestuar.
“Kishim shpesh edhe debate politike. Secili mbronte idetë e veta. Kishte nga ata që e mbronin PS, kishte nga ata që nuk e mbronin, por ata nuk fajësonin PS pse ishin arrestuar. Problemi i tyre ishte padrejtësia qe vinte nga mungesa e procedurave ligjore, nga mosrespektimi i shtetit ligjor që e ka burimin nga SPAK-u”, u shpreh zoti Beleri, i cili përgënjeshtroi edhe një lajm të përhapur disa javë më parë se ai i kishte shpëtuar jetën një ish kryebashkiaku në burg.
“Kjo është një nga gënjeshtrat e shumta që kanë thënë mediat për mua. Askush nuk ka tentuar të vrasë veten dhe s’kam shpëtuar njeri”, tha zoti Beleri.
Gjatë intervistës në “Pa Censurë”, ish kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, por që s’u betua dot për të ushtruar funksionin e tij, për shkak të asaj që e quan “shtet nën urdhrat e Edi Ramës”, u tregua i hapur, kur u pyet nëse ka një falenderim për Ramën për zgjedhjen e tij si eurodeputet. “Po të mos ishte Edi Rama, nuk do të isha bërë kurrë deputet në Parlamentin Europian. Po të mos kishte urdhëruar arrestimin tim, po të mos kishte urdhëruar drejtësinë të shkelë ligjin me të dyja këmbët, unë do te isha një kryetar bashkie me probleme shumë të mëdha. Unë s’kisha shkopin magjik, do të konsumohesha për dy vjet dhe gjysmën e atyre që më duartrokasin sot, do të ishin të pakënaqur. Megjithatë, do të preferoja të isha Kryetar i Bashkisë Himarë dhe e kam synim prapë, nëse zgjidh në kohë çështjen në Gjykatën e Strasburgut”, tha Fredi Beleri.
Lajmet Fredi Beleri tregon miqësitë e reja në burg me socialistët e arrestuar >> Rahoveci INFO.