FOTO / Kurti shpalos detaje nga vizita e tij në Rumani

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit të tij në konferencën e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES) në Bukuresht, i ka ftuar të pranishmit që ta mbështesin vendin tonë në rrugëtimin drejt Këshillit të Evropës, veçanërisht në votimin e radhës më 16 prill në Asamblenë Parlamentare.

“Teksa jemi dy muaj para zgjedhjeve evropiane, ky takim kishte rëndësi madhore për fuqizimin e bashkërendimit mes nesh”, ka vlerësuar kryeministri Kurti.

Ai ka shpalosur detaje nga vizita e tij në Rumani.

“Qëndrimin në Rumani, e kaluam edhe në shoqërinë e dy përfaqësuesve të mërgatës shqiptare të Rumanisë: zëvendëskryetarin e Shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë” (ALAR) Luan Topçiu, dhe doktorin për shkencat dhe inxhinierinë e metalurgjisë, Përparim Demi”, njofton Kurti.

“Para kthimit në Kosovë, takova dhe ambasadoren e Shqipërisë në Rumani”, vijon më tej kryeministri.

Postimi i tij i plotë:

Kënaqësi të rikthehem mes miqsh në familjen e madhe socialdemokrate evropiane. Këtë herë, konferenca e radhës e Partisë së Socialistëve Evropianë (PES), ishte në qytetin e bukur të Bukureshtit. Bukureshtin e njohim mirë edhe si qytet i cili ka qenë historikisht një vatër e rëndësishme e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, një vend ku intelektualë shqiptarë lirisht e shtjelluan mendimin kombëtar.

Teksa jemi dy muaj para zgjedhjeve evropiane, ky takim kishte rëndësi madhore për fuqizimin e bashkërendimit mes nesh.

Socialdemokracia i bart idetë, traditën dhe vlerat për të mbrojtur e zhvilluar demokracinë dhe evropianizmin, në një kohë kur ato janë të rrezikuara nga forcat e regjimet autokratike që synojnë dobësimin e Bashkimit Evropian.

Qëndrimin në Rumani, e kaluam edhe në shoqërinë e dy përfaqësuesve të mërgatës shqiptare të Rumanisë: zëvendëskryetarin e Shoqatës “Lidhja e Shqiptarëve të Rumanisë” (ALAR) Luan Topçiu, dhe doktorin për shkencat dhe inxhinierinë e metalurgjisë, Përparim Demi.

Gjurmët e rilindasve tanë e patriotëve të kombit, i vizituam në brendi të qytetit. Nga pllaka përkujtimore e kishës “Shën Nikolla” ku shënohet se aty ka meshuar për herë të parë në gjuhën shqipe rilindasi Fan S. Noli në vitin 1911, e deri te parku Herastrau ku gjendet edhe busti i poetit tonë të madh, Naim Frashërit, jo larg atij të Viktor Hugos. E vizituam dhe bustin e Ismail Qemalit te “Grand Hotel Continental” ku me 5 nëntor të vitit 1912, ai së bashku me Luigj Gurakuqin u takua me atdhetarë të tjerë para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë.

Vlen të theksojmë edhe se në konferencën e PES-it, midis përfaqësuesve të partive të ndryshme, isha pjesëmarrës në pritjen e Kryeministrit të Rumanisë, Marcel Ciolacu.

Në konferencë e margjina të saj bashkëbiseduam por edhe patëm kënaqësinë të ishim edhe në praninë e Komisionerit Evropian dhe njëherazi kandidatit unanim të PES-it për President të Komisionit Evropian, Nicolas Schmit, Kryetarit të PES-it dhe ish-Kryeministrit të Suedisë Stefan Löfven, gjithashtu të Kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Zëvendëskryetares të Parlamentit Evropian, Katarina Barley, Kryetares së grupit të socialistëve dhe demokratëve (S&D) në Parlamentin Evropian, Iratxe Garcia Pérez, dhe shumë përfaqësuesve të tjerë prej partive anëtare të PES-it.

Të gjithë të pranishmit, i ftova që ta mbështesin vendin tonë në rrugëtimin drejt Këshillit të Evropës, veçanërisht në votimin e radhës më 16 prill në Asamblenë Parlamentare.

Para kthimit në Kosovë, takova dhe ambasadoren e Shqipërisë në Rumani. Vizitë produktive, jo vetëm për të forcuar bashkëpunimin me miqtë e aleatët tanë më të ngushtë, por edhe për t’u frymëzuar më shumë tek vlerat tona, e rritur diapazonin e dijeve dhe përkushtimin për ardhmërinë tonë.

Lajmet FOTO / Kurti shpalos detaje nga vizita e tij në Rumani >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>