Fiorentina çmend Leccen me 6 gola në udhëtim
Skuadra e Fiorentinës ka shënuar fitore bindëse në Serie A, duke dominuar në tërësi duelin me gjashtë gola në portën e Lecce si vendëse në “Via del Mare”.
Serinë e golave për mysafirët e nisi Cataldi në minutën 20, pas asistimit të Bove. 14 minuta më vonë Lecce pësoi golin e dytë, kësaj radhe nga Colpani, ndërsa nga minuta 43 skuadra vendëse mbeti me një lojtar më pak në fushë pasi Gallo u ndëshkua me karton të kuq.
Mysafirët shfrytëzuan epërsinë e krijuar në terren duke thelluar epërsinë vetëm dy minuta më vonë përmes golit të dytë të Cataldi.
Fiorentina vazhdoi dominimin në pjesën e dytë duke shënuar tre gola të tjerë, fillimisht Coplani në minutën 54, goli i tij i dytë në këtë ndeshje, për të vazhduar me Beltran në minutën 61 pas asistimit të Kouame, teksa epilogun prej 6:0 e vulosi Parisi në minutën 72, pas asistimit nga Colpani.
Pas kësaj fitoreje, ekipi nga Firenca renditet e pesta në tabelë me 13 pikë, po aq sa kanë edhe Atalanta, Lazio dhe Udinese, por me gol diferencë më të dobët, teksa Lecce, për të cilën kjo ishte humbja e pestë, mbetet në zonën e rrezikshme me vetëm 5 pikë, prej tyre një fitore dhe dy barazime.
Skuadra e vetme që ende nuk e ka shijuar fitoren në këtë edicion në Serie A është Monza në pozitën e parafundit me katër pikë, po aq sa edhe Venezia që përmbyll tabelën pas humbjes së re sot nga Atalanta 0:2, teksa prin Napoli me 19 pikë, pas tri pikëve të arritura në udhëtim ndaj Empoli 1:0.
Sonte luajnë edhe Cagliari-Torino dhe derbi i madh Roma-Inter, me të cilën përmbyllet xhiroja e tetë e kampionatit italian në futboll Serie A.