Feronikeli 74 ankohet për dëmtim nga gjyqtarët në 6 ndeshje të Superligës
Pakënaqësia me ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarët në Superligën e Kosovës detyroi kryesinë e klubit të futbollit Feronikelit 74 që të enjten të marrë vendim për t’u larguar nga të gjitha garat.
Por vetëm një ditë më pas, kryesia e klubit ka tërhequr vendimin për të cilin kryetari i klubit Erlind Krasniqi ka thënë në një konferencë për media se kjo është bërë pas kërkesave të mëdha të sportdashësve në Drenas, por që, sipas tij, kjo skuadër po dëmtohet rëndë nga gjyqtarët.
“Takimin që kemi mbajtur me njërin nga donatorët kryesor, me trajnerin, sekretarin, kapitenin dhe lojtarët, mbase duhet tërhequr nga ai vendim për hir të atyre që janë mbrapa (tifozëve), për hir të sportdashësve për të mos e prishur një ligë, por po presim që duhet reflektuar dhe të mos ndodhin më këto që kanë ndodhur deri më sot. Ju e dini që nuk është hera e parë që dëmtohet Feronikeli”, tha Krasniqi.
Krasniqi gjithashtu ka nënvizuar se nga 11 ndeshjet e zhvilluara në këtë kampionat, Feronikeli 74 është dëmtuar në gjashtë prej tyre nga ana e gjyqtarëve.
“Nga 11 ndeshje, në gjashtë ndeshje jemi dëmtuar. Nuk po them se do t’i merrnim 18 pikë, por të paktën tetë pikë i kishim pasur. Tani ajo ka përfunduar dhe përderisa po tërhiqemi ne mendojmë që të vazhdojmë dhe besoj që do të jetë tani e tutje ndryshe….Në federatë i kemi dorëzuar vazhdimisht ankesat tona që i kemi pasur, jo vetëm në këtë ndeshje, ju e dini që edhe para dy ndeshjeve çfarë la ndodhur që po besoj që shumica nga ju e keni përkrahur vendimin tonë me shpresë që po reflektojmë, po vazhdojmë”, deklaroi Krasniqi.
Kapiteni i skuadrës Lapidar Lladrovci kërkoi që në këtë situatë të reagojë urgjentisht Federata e Futbollit të Kosovës.
“Kemi marrë shumë mesazhe prej sportdashësve të qytetit dhe prindërve të fëmijëve që të vazhdojmë pra edhe pas shumë mbledhjeve që i ka mbajtur kryesia edhe kërkesave të shumta nga qytetarët e Drenasit. Pra, njëra ndër arsyet kryesore ka qenë që fëmijët mos të dëmtohet, t’i vazhdojnë garat sepse më të dëmtuarit do të dilnin ata dje ëndrrat e tyre do të shuheshin edhe kësisoj mendoj që e kemi marrë një vendim. Shpresojmë që Federata tani e tutje të reflektojë sepse nuk është në rregull kjo. Nuk po ndodh vetëm këtë vit, jemi dëshmitar edhe të vitit të kaluar, kemi qenë njëri prej klubeve më të dëmtuara në ligë”, tha Lladrovci.
Ndryshe, pas 11 xhirove në Superligë, Feronikeli 74 është skuadra e fundit në tabelë me vetëm tri pikë.