Erdogan takohet me Olaf Scholz: Qëndrime të kundërta, por edhe interesa të mëdha!
Në një takim të mbajtur hermetik për momentin, kancelari gjerman Olaf Scholz u prit në Stamboll nga presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.
Nuk ka ende shumë detaje për mediat, i vetmi sqarim është se bisedimet mes dy liderëve kanë në fokus Ukrainën, emigracionin dhe situatën në rajon.
Politologja Hürcan Asli Aksoy thotë se “pavarësish qëndrimeve të kundërta në konfliktin e Lindjes së Mesme, ka interesa të përbashkëta mes Ankarasë dhe Berlinit në shumë fusha të tjera”.
“Në fund të fundit, të dyja palët kanë nevojë për njëra-tjetrën – politikisht, ekonomikisht dhe nga ana sociale”, shton ajo.
Një zëdhënës i qeverisë federale ndaloi në mënyrë të veçantë tek konflikti i Ukrainës duke kujtuar se si Turqia luajti një rol të rëndësishëm në mundësimin e furnizimeve me grurë nga Ukraina në tregun botëror nëpërmjet Detit të Zi.
Për javë të tëra flitet për krijimin e një grupi kontakti ndërkombëtar për të kërkuar mënyra për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Aty do të jetë edhe Ankaraja.
Nga ana tjetër qeveria federale gjermane a theksuar vazhdimisht, se Turqia duhet të përfshihet në politikën europiane të sanksioneve kundër Rusisë. Kur bëhet fjalë për emigracionin, Scholz pritet të shtrojë pyetjen se si mund të kthehen në Turqi më shumë azilkërkues turq të refuzuar.
Kur bëhet fjalë për vendet e origjinës së azilkërkuesve, Turqia renditet e treta pas Sirisë dhe Afganistanit. Një temë tjetër pritet të jetë eksporti i armëve.
Turqia dëshiron të modernizojë forcat e saj ajrore me 40 avionë luftarakë Eurofighter.
Meqenëse ato prodhohen nga Gjermania, Spanja, Britania e Madhe dhe Italia, të katër vendet duhet të bien dakord për blerjen e tyre. Deri tani vetëm Spanja dhe Britania e Madhe kanë dhënë dritën jeshile.
Lajmet Erdogan takohet me Olaf Scholz: Qëndrime të kundërta, por edhe interesa të mëdha! >> Rahoveci INFO.