Edhe Avokati i Popullit në mbrojtje të Listës Serbe, kritikon ashpër KQZ-në për moscertifikim

Avokati i Popullit ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të moscertifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 2025-s. Në komunikatën e lëshuar sot, thuhet se vendimi i 2 dhjetorit është marrë “pa bazë të qëndrueshme juridike” dhe në kundërshtim me procedurat e përcaktuara me ligj.

Sipas Avokatit të Popullit, refuzimi – i dyti me radhë – cenon të drejtën kushtetuese për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur, duke ndërhyrë në një proces që duhet ta vendosë vetëm qytetari përmes votës së lirë, e jo një organ administrativ.

Ai thekson se të gjitha subjektet politike të paraqitura për zgjedjet e parakohshme kanë kaluar verifikimin dhe kontrollin ligjor, dhe se organet përgjegjëse kanë konstatuar plotësimin e kushteve nga secili prej tyre. Prandaj, sipas tij, KQZ ka pasur detyrim ligjor të certifikonte të gjitha subjektet që i përmbushin kriteret.

Në komunikatë rikujtohet se masat që prekin pjesëmarrjen e një partie politike lejohen vetëm kur bazohen në ligj të qartë, të parashikueshëm dhe të shoqëruar me vendime gjyqësore të formës së prerë – jo në qëndrime politike apo interpretime të paqarta.

Avokati i Popullit mirëpret edhe reagimet e akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët kanë vlerësuar se moscertifikimi arbitrar i një subjekti politik cenon të drejtat e njeriut, besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor dhe parimin e gjithëpërfshirjes.

Ai i bën thirrje institucioneve kompetente që ta rishqyrtojnë vendimin e KQZ-së dhe të veprojnë në përputhje me parimet e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë, duke siguruar mbrojtjen efektive të së drejtës për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.

Lajmet Edhe Avokati i Popullit në mbrojtje të Listës Serbe, kritikon ashpër KQZ-në për moscertifikim >> Rahoveci INFO.

error: Ku po shkon !!

Test

Please consider supporting us by disabling your ad blocker