Dyshohet se e ndihmoi Faton Hajrizin pas arratisjes nga burgu, policia arreston të dyshuarin
Policia e Kosovës ka njoftuar se është ndaluar për 48 orë një person që dyshohet se e kishte ndihmuar Faton Hajrizin, pas arratisjes nga burgu i Smrekonicës së Vushtrrisë, dy javë më parë.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetime në lidhje me arratisjen e ndodhur ditë më parë në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë. Në vazhdën e veprimeve hetimore, sot me datë 20.07.2024 është ftuar për intervistim një person mashkull kosovar, për të cilin dyshohet se ka ndihmuar të dyshuarin pas arratisjes nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. Për të gjitha veprimet hetimore është konsultuar prokurori kompetent, me vendim të të cilit personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.
Faton Hajrizi iku nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik për t’u bërë e nënta herë që arratisej nga burgjet e Kosovës.
Autoritetet në Serbi thanë të premten se e vranë atë, ditën e dytë pasi ai e qëlloi për vdekje një polic dhe një tjetër e plagosi, derisa po përpiqej ta kalonte kufirit për në Bosnjë-Hercegovinë.
Megjithatë, ka dyshime se i ndjeri ka kryer vetëvrasje në mënyrë që të mos i dorëzohet i gjallë policisë serbe.
Lajmet Dyshohet se e ndihmoi Faton Hajrizin pas arratisjes nga burgu, policia arreston të dyshuarin >> Rahoveci INFO.