Dyshohet për atentat mafioz në ujë, ky është biznesmeni që humbi jetën në Sarandë
Armand Nelaj, 52-vjeç, është personi i cili humbi jetën një ditë më parë nga një shpërthim i fuqishëm në Portin e Sarandës.
Mësohet se Nelaj është biznesmen prej 13 vitesh dhe zotëron një kompani të mjeteve të rënda të ndërtimit. Policia e Sarandës po heton intensivisht për ngjarjen, teksa është ngritur një grup hetimor i drejtuar nga Prokuroria e Sarandës. Hetimet janë shtrirë në disa drejtime, përfshirë edhe ato me prapavijë kriminale.
Shpërthimi dyshohet të jetë shkaktuar nga eksplozivi. Polumbarët kanë gjetur gjatë kërkimeve të sotme në thellësinë e detit pranë vendit të ngjarjes copa metalike qe dyshohet se i përkasin mjetit lundrues në të cilin dyshohet se ndodhej viktima, megjithatë nuk është arritur të saktësohet se për çfarë mjeti bëhet fjalë.
Dyshimet janë ngritur lidhur me faktin që viktima ndodhej në një mjet tepër të vogël e ndoshta artizanal lundrues pranë Portit Detar dhe se shpërthimi ka ndodhur mbi sipërfaqjen e ujit, por edhe forca e saj, i kanë bërë ekspertët të dyshojnë se realisht ka pasur një shpërthim eksplozivi.
Ngjarja ka ndodhur pikërisht në orën 22.00 kur gjithë vëmendja ka qenë në ndeshjen Shqipëri – Spanjë.
Lajmet Dyshohet për atentat mafioz në ujë, ky është biznesmeni që humbi jetën në Sarandë >> Rahoveci INFO.