Dy ish-ministra kinezë të mbrojtjes përjashtohen nga Partia Komuniste
Partia Komuniste e Kinës ka përjashtuar dy ish-ministra të mbrojtjes, Li Shangfun dhe paraardhësin e tij, Wei Fenghen.
Sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve ‘Xinhua’, të dy ish-zyrtarët u akuzuan për kryerjen e “shkeljeve serioze të disiplinës”, gjuhë që përdoret nga zyrtarët kinez kur flitet për korrupsionin.
Atikulli në ‘Xinhua’ thotë: “Si një anëtar i rëndësishëm i udhëheqjes së partisë dhe ushtrisë, Li Shangfu tradhtoi misionin e tij… tradhtoi besimin e Komitetit Qendror të Partisë dhe Komisionit Qendror Ushtarak … dhe shkaktoi dëme të mëdha në kauzën e partisë dhe mbrojtjen kombëtare”.
Artikulli thotë gjithashtu se një hetim i drejtuar nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste zbuloi se zoti Li kishte “kërkuar përfitime për veten dhe të tjerët” dhe se nuk kishte përmbushur detyrat e tij politike.
Sipas artikullit, zoti Li dyshohet gjithashtu se ka marrë “shuma të mëdha parash” ryshfet, si dhe u ka dhënë ryshfet të tjerëve”.
Artikulli në ‘Xinhua’ ishte konfirmimi i parë zyrtar i hetimit të zotit Li duke zbuluar edhe detaje të natyrës së krimeve të dyshuara.
Në muajin tetor të vitit të kaluar, zoti Li u hoq nga detyra pasi nuk u pa në aktivitete publike për gati dy muaj. Ai u zëvendësua në muajin dhjetor nga admirali Dong Jun.
Paraardhësi i zotit Li, Wei Fenghe, gjithashtu nuk u pa në aktivitete publike për një periudhë të gjatë pasi u zëvendësua gjatë një riorganizimi të kabinetit qeveritar në muajin mars.
Që kur erdhi në pushtet, para më shumë se një dekade, udhëheqësi kinez Xi Jinping ka nisur një fushatë të gjerë kundër korrupsionit. Presidenti Xi është përqëndruar veçanërisht në luftën kundër korrupsionit në ushtri.
Javën e kaluar, ndërsa fliste gjatë një konference që kishte të bënte me ushtrinë, Presidenti Xi theksoi nevojën për të “çrrënjosur kushtet në të cilat lulëzon korrupsioni dhe të zgjerojë thellësinë dhe gjerësinë e luftës kundër korrupsionit”, sipas medias shtetërore kineze.
Gjatë kësaj konference, Presidenti Xi gjithashtu theksoi nevojën për të “forcuar mbikëqyrjen e gjithanshme të kuadrove të lartë në ushtrimin e detyrave dhe përdorimin e kompetencave të tyre”.
Reagimet ndaj përpjekjeve të Presidentit Xi kundër korrupsionit kanë qenë të ndryshme. Mbështetësit thonë se përpjekjet kanë të bëjnë me qeverisjen e pastër, ndërsa kritikët thonë se ato mund të shërbejnë si mjet për të eliminuar rivalët politikë. /VOA
Lajmet Dy ish-ministra kinezë të mbrojtjes përjashtohen nga Partia Komuniste >> Rahoveci INFO.