Dorëhiqet drejtori i RTK-së, përmend presionin politik, reagon BE
Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës, Shkumbin Ahmetxhekaj, ka dhënë dorëheqje nga ky post.
Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, Ahmetxhekaj ka thënë se vendimi i tij nuk nënkupton dorëzim, por është “kulmim i një presioni politik 7-mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”.
Duke përmendur disa nga punët që janë kryer gjatë kohës sa ai ka qenë në krye të kësaj detyre, Ahmetxhekaj ka thënë se ka shprehur vullnetin që ta ushtrojë detyrën deri në finalizimin e procesit të disa punëve, por Bordi e ka injoruar kërkesën e tij.
“Në gjykimin tim, një Drejtor i Përgjithshëm do të duhej të kishte mbështetje të plotë në krijimin e ekipit të tij dhe të mbrohet nga interferimi politik në çfarëdo forme dhe kurdo që mund të shfaqet. Uroj që pasardhësi im të jetë më fatlum në këtë drejtim. Të gjithë kolegëve, faleminderit për besimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj kohe. Uroj që RTK-ja të zhvillohet dhe transformohet ashtu siç e pret publiku. ‘Unë kisha një ëndërr’”, ka shtuar ai.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog ka reaguar në lidhje me dorëheqjen e Shkumbin Ahmetxhekajt nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës.
Szunyog shkroi në “X” se dëshiron ta theksojë rëndësinë e pavarësisë editoriale në RTK.
“Dua ta theksoj rëndësinë e një transmetuesi publik që gëzon autonomi institucionale dhe pavarësi editoriale”, shkroi ai.
Szunyog i shprehu mirënjohje Ahmetxhekajt për “përpjekjet e tij në përmirësimin e menaxhimit financiar të RTK-së”
Lajmet Dorëhiqet drejtori i RTK-së, përmend presionin politik, reagon BE >> Rahoveci INFO.