Djali i pronarit të ujit ‘Lajthiza’ shkrepi armën në mes të festës dhe ia mbathi, detajet e ngjarjes te restoranti i VIP-ave që tronditi Tiranën
Detaje të reja kanë dalë në dritë, nga plagosja e trefishtë që ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, kur një plumb ka plagosur tre persona të së njëjtës familje, motër dhe vëllezër.
Mësohet se personi që ka qëlluar është Edison Elezaj, 32 vjeç, djali i biznesmenit Hajri Elezaj, i njohur si pronar i “Ujit Lajthiza”. Elezaj pas ngjarjes është larguar menjëherë nga festa, ndërkohë që 3 personat e plagosur janë dërguar në një spital privat në Tiranë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Edhe pse policia nxitoi që në deklaratën e saj të arrinte në konkluzionin se ngjarja kishte qenë aksidentale, mbeten ende të dyshimta rrethanat, dhe pse Elezaj duhet të largohej menjëherë nga vendi i ngjarjes.
“Më datë 23.07.2024, rreth orës 01:35, janë paraqitur në një spital privat, për ndihmë mjekësore, shtetasit E. P., 36 vjeçe, A. P., 36 vjeç, dhe D. P., 34 vjeç, me dëmtime të shkaktuara dyshohet nga armë zjarri.
Këta shtetas, rreth orës 01:30 të mëngjesit të sotëm, kanë qenë duke festuar së bashku me persona të tjerë nga rrethi i tyre shoqëror dhe familjar, në një lokal në Rrugën e Kavajës.
Nga tërësia e veprimeve hetimore paraprake është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, shtetasit E. E., 32 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas dyshohet se aksidentalisht, me një armë zjarri të cilën e mbante pa leje, ka bërë një shkrepje të pavullnetshme, dhe si pasojë e saj janë dëmtuar shtetasit e mësipërm.
Shtetasit D. P., dhe A. P., pas marrjes së ndihmës mjekësore janë larguar për në banesë, ndërsa shtetasja E. P., ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti dhe kapjen e shtetasit E. E”, njoftoi Policia.
Kjo nuk është hera e parë që djemtë e biznesmenit Hajri Elezaj përmenden në media. Pasi në vitin 2019, Edison Elezaj dhe R. Elezaj, janë përplasur me Altin Isarajn, vëllai i ish-Drejtorit të Transportit Rrugor, Arben Isaraj.
Ndërkohë që në vitin 2013 vetë Hajri Elezaj është dënuar me 6 muaj burg si i përfshirë në skandalin e kontrabandës së naftës Virgin. Disa javë më parë, kompania “Lajthiza” e Hajri Elezit është denoncuar në media se në kundërshtim me vendimet e gjykatës, po tenton zaptimin e 7 burimeve të Mirditës për të ndërtuar fabrikë uji dhe hidrocentral.
Lajmet Djali i pronarit të ujit ‘Lajthiza’ shkrepi armën në mes të festës dhe ia mbathi, detajet e ngjarjes te restoranti i VIP-ave që tronditi Tiranën >> Rahoveci INFO.