Diplomati gjerman, Sarrazin: Kosova rrezikon izolim më të thellë, shkak ndalesa për importet serbe
Kosova mund të përballet me thirrjet për përjashtim nga Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, dhe me ndëshkime të tjera, nëse vazhdon t’i ndalojë importet serbe, ka deklaruar për BIRN-in emisar i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin.
Në kohën kur Gjermania po përgatitet ta organizojë si nikoqire samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor, duke shënuar dhjetëvjetorin e platformës të lidhur me BE-në për bashkëpunimin e nivelit të lartë të lidhur ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka vizituar dy herë Kosovën me misionin për t’i davaritur problemet me Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore, CEFTA.
Më 5 shtator, ambasadori Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rhode, tha se Sarrazin në vizitën e tij të dytë në Kosovë brenda një harku të shkurtë kohor, e ka nxitur kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ta heqë ndalesën e qershorit 2023 për importin e produkteve me prejardhje serbe, për të cilën Sarrazin ka thënë se po bllokon tregtinë e lirë në rajon dhe se po e pengon CEFTA-n.
Në këmbim të heqjes së ndalesës, Kosova më nuk do të përfaqësohej zyrtarisht në CEFTA prej misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, por do ta përfaqësonte veten.
Megjithatë, emri i saj do të shkruhej si Kosovo*, me asteriksin që tregon fusnotën se statusi i Kosovës ende duhet të zgjidhet përfundimisht nën Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke reflektuar refuzimin e Serbisë për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur.
Menjëherë pas vizitës së Sarrazinit në Kosovë më 17 shtator, gjatë një vizite në Kosovë, Anna Luhrmann, ministre shtetërore e Gjermanisë për Europë dhe Klimë, shkroi në X/Twitter: “Ne e nxisim Kosovën ta bëjë të mundshëm zhbllokimin e CEFTA-s dhe ta lejojë avancimin drejt Tregut të Përbashkët Rajonal për t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve në Kosovë”.
Kosova ka refuzuar ta shfuqizojë ndalesën, duke spikatur shqetësimet e sigurisë.
Por Sarrazin i ka thënë BIRN-it në një intervistë se qëndrimi i saj është i papranueshëm.
Lajmet Diplomati gjerman, Sarrazin: Kosova rrezikon izolim më të thellë, shkak ndalesa për importet serbe >> Rahoveci INFO.