Dëmet nga vërshimet: Në Skenderaj rreth 15 milionë, në Mitrovicë mbi 13 milionë, në Klinë mbi 9 milionë euro

Disa nga komunat në Kosovë janë duke u përballur me pasojat e vërshimeve të krijuara nga të reshurat e dendura të shiut gjatë javës së kaluar.

Komunat më të goditura nga vërshimet janë ajo e Skenderajt, Mitrovicës dhe Klinës.

Sipas institucioneve përgjegjëse, gjendja po shkon duke u stabilizuar por vërshimet në këto komuna kanë lënë dëme të mëdha pas vetes.

Rahoveci.info ka kontaktuar kryetarin e Skenderajt, Fadil Nura për ta pyetur për gjendjen aktuale në këtë komunë pas përmbytjeve të mëdha dhe ai tha se gjendja për momentin është stabile.

“Gjendja është stabile për faktin se nuk kemi të reshura fatmirësisht. Dje ka pasur deri dikur natën ka pasur të reshura por sot nuk ka të reshura dhe gjendja është stabile. Probleme ka, dëme jashtëzakonisht të mëdha jemi duke u marrur me familje të cilat kanë nevojë për furnizime dhe kjo është në përgjithësi gjendja sot në komunën e Skenderajt”, tha Nura.

Ai shtoi se janë duke punuar në rikthimin e procesit normal arsimor, pasi që mësimi aty nuk u mbajt ditëve të fundit.

Nura tregoi për dëmet e shkaktuara nga vërshimet. Sipas kryetarit, në vlerësimet preliminare janë rreth 15 milionë euro dëme, duke përfshirë edhe dëmet bujqësore.

“Jemi duke punuar me e rregulluar sistemin arsimor. Ende nuk ka filluar mësimi në katër shkolla. Duke pastruar duke u marrur me e rikthyer sistemin e ngrohjes dhe gjërat tjera që janë të nevojshme për një sistem mësimor. Dëmet në përgjithësi tani preliminare që i kemi nxjerr përfshirë edhe dëmet bujqësore janë rreth 15 milionë. Kam dhënë një pronocim që kam thënë mbi 10 milionë por me dëmet në bujqësi sipas një raportit zyrtar që ia kemi përcjellur Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencës është tek 15 milionë ”, tha ai.

Më tej ai tha se kompensimi i dëmeve për Skenderajn, është i pamundur të realizohet nga komunat me mjetet vetanake.

Po ashtu kryetari ritheksoi se kanë hapur një fondacion për të ndihmuar komunën e Skenderajt.

“Sigurisht këtë kompensim të dëmeve komuna e ka të pamundshme me bo, jo vetëm komuna e Skenderajt po të gjitha komunat nuk kanë kapacite të nivelit të tillë. Ne në këtë drejtim kemi hapur një fondacion, kemi kërkuar fondacion prej bashkatdhetarëve dhe organizatave të ndryshme edhe tani të shohim”,u shpreh ai.

Edhe në Mitrovicë, kryetari i kësaj komune, Bedri Hamza, potencoi se gjendja është duke shkuar drejt normalitetit edhe pse sipas tij pasojat dhe vështirësitë vazhdojnë.

Kryetari Hamza, për Rahoveci.info tha se dëmet janë të konsiderueshme.

Gjithashtu ai theksoi edhe një problem tjetër, e cila është rrëshqitja e dheut në disa pjesë të territorit të Mitrovicës.

“Tani uji dhe niveli i ujit në lumenjë ka rënë dhe është duke shkuar nga normalizimi. Familjet të cilat kanë qenë të evakuaara, një pjesë e tyre vazhdojnë të jenë, kurse një pjesë kanë filluar të kthehen. Është një dëm i konsiderueshëm. Po flasim për qindra shtëpi të vërshuara, shumë dëme edhe në biznese, infrastrukturë edhe tani ka filluar të shfaqet edhe një problem tjetër që është rrëshqitja e dheut nëpër disa pjesë të territorit të Mitrovicës. Ne jemi duke u mobilizuar duke e bërë maksimumin duke i ndejtur njerëzve afër kemi arritur që në qytet të kthejmë normalitetin. Ka ende punë mirëpo në masë të madhe i’u kemi kthyer normalitetit”, tha Hamza.

Tutje, Hamza ka konfirmoi se të gjitha instuticionet komunale janë në funksion dhe punojnë me kapacitete të plota.

Ndërkaq ai në bazë të vlerësimeve preliminare tha se shuma e dëmeve është 13 milionë.

“Të gjitha shkollat janë duke punuar të gjitha instuticionet shtetërore janë në funksion edhe shëndetësia po punon me kapacitete të plota. Shuma e dëmve në bazë të vlerëave preliminnare e kalojnë ndoshta edhe 13 milionëshin si vlerësime preliminare e shumë objekte jo të kryera”, tha ai.

Ai foli dhe për lagjen e Boshnajëkve. Për të, ai tha se përkundër aspektit administrative, në komunën e Mitrovicës së Veriut ai do të ofrojë mbështetje.

Po ashtu ai tha se për gjendjen e rënduar në lagjen e Boshnjakëve janë donatorë që kanë marrë përsipër renovimin e shtëpive të dëmtuara nga reshjet e dendura.

“Tani për tani ka probleme në lagjen e Boshnjakëve që janë të vërshuara edhe aty jemi duke i përkrahë pavarësisht në aspektin administrativ në komunën e Mitrovicës Veriore. Por ne jemi të gatshëm t’i dalim të gjithë njerëzve në nevojë pavarësisht kudo që janë. Falë kontributit dhe vullnetit të njerëzve të mirë janë lajmëruar donatorë që është afaristi, Lindrit Misini me djemtë e Mitrovicës që kanë marr përsipër e kanë bërë zotimin që do t’i renovojnë me çka do që ka. Po flas për shtëpitë në lagjen e Boshnjakëve, në pjesën veriore të Mitrovicës”, tha ai.

Po ashtu edhe në komunën e Klinës kryetari, Zenun Elezaj, ka njoftuar për Rahoveci.info se gjendja është nën kontroll.

Kurse për vlerësimet preliminare, Elezaj potencoi se dëmet janë diku rreth 9.4 milionë euro.

“Edhe pse ka pas reshje mbrëmë gjendja është nën kontroll, ka rritje por nuk ka dalje nga shtrati. Ndërsa situata gjatë ditës së premte që kanë qenë vërshimet jemi duke u marrur me pasoja. Ka pasur dëme shumë të mëdha dhe një vlerësim preliminar që e kemi bërë diku rreth 9.4 milionë euro kanë dalur dëme që janë bërë në total”, tha Elezaj.

Elezaj tha se komunat kanë shprehur gatishmëri ta ndihmojnë Klinën.

Sipas tij, niveli i ujit ka rënë dhe tani po merren me efektet pas vërshimeve.

“Prej komunave ka gatishmëri për mbështetje njëherë qytetarët janë duke u marrur me pastrim të shtëpive, ka ende nivel të ujit nëntokësor në bodrume. Do të ketë problem deri sa të bie niveli i gjithëmbarshëm i ujërave. Do të kemi vështirësi me pastrimin sidomos të bodrumave, mirëpo niveli nga shtëpitë ka rënë tani situata është duke u marrur efektet pas vërshimeve”, tha ai.

Kryetari tha se në instuticone publike nuk ka pasur vërshime të mëdha.

“Qeveria është adresa kryesore për ndihmë kështu që po presim dhe shpresojmë të na dalin në ndihmë”, potencoi ai.

“Të gjitha shkollat janë të hapura po funksionon gjithçka sepse fatmirësisht shkollat nuk janë vërshuar përveç në disa raste në oborre të tyre kurse në shkolla nuk kemi pasur dëme instuticone publike nuk ka pasur vërshime. Qeveria është adresa kryesore për ndihmë kështu që po presim dhe shpresojmë të na dalin në ndihmë”, theksoi ai.

Ballina
RadioRahoveci
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!