Deklarata “bombë” e Altin Dumanit: Bankat të përfshira në pastrim parash. Me pasuritë e krimit blihen apartamente në Tiranë dhe bregdet
Kreu i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) po raporton këtë të martë në Komisionin e Ligjeve raportin vjetor për punën e SPAK gjatë vitit 2023. Në nisje të fjalës së tij në Komisionin e Ligjeve foli me shifra teksa theksoi se përgjatë vitit 2023 janë sekuestruar 41 milionë euro pasuri.
“Do paraqes disa të dhëna për vitin 2023 dhe masat që ka marrë SPAK për përmbushjen e rekomandimeve të Kuvendit. SPAK ka tregues sasior dhe cilësor të përmirësuar në raport me një vit më parë. Ka hetuar 863 materiale nga të cilat nuk është filluar hetimi penal për 103 materiale. 41 milionë euro sekuestrim pasurie. Ne jemi prokurorë dhe jo vizitorë, ne mbledhim prova dhe nuk akuzojmë pa to. Shifrat janë kokëforte në lidhje me politikat penale. Mesa arrest me burg zë vetëm 49% të totalit për të cilat është kërkuar një masë sigurie.
Totali i burgosjes me urdhër të SPAK është 8.5%. Sa i takon bashkëpunimit me institucionet ndërkombëtare, kemi arritur që të kemi besueshmëri dhe bashkëpunim me institucione partnere. Përfaqësues të DEA janë vendosur në SPAK”, tha Dumani.
Dumani theksoi se bankat dyshohet se janë të përfshira në skemën e pastrimit të parave, përmes bashkëpunimeve të bizneseve me mafian ndërkombëtare.
“Shpresojmë të gjejmë mbështetje nga Kuvendi për shtim të prokurorëve. Nuk dimë çfarë ndodh me ne, s’kemi status pas përfundimit të mandatit. Grupet kriminale janë përfshirë në trafikim të drogave të forta.
Grupet kanë aktivitete poli-kriminal, duke përfshirë dhunën për shkak të kontrollit të territorit, komunikimi i koduar, konvertimi i parave në kriptovaluta. Ka shumë grupe kriminale që operojnë përmes call center.
Dëmi ndaj viktimave është në mijëra euro. Qytetet më problematike janë Tirana, Elbasani, Durrës, Vlorë, Kurbin, Shkodër, Laç, Fushë Krujë. Në Fushë Krujë ka veprimtari kriminale si vrasja dhe shpërthimet.
Ka prani të pastrimit të parave, që bëhet edhe me ndërtimet. Edhe terrorizmi është ndër aktivitetet kriminale më të rralla. Sa i takon korrupsionit, përdoret procedura që përfitojnë nga fondet publike, që përdorin llogari offshore.
Gjithashtu dyshohet se shuma të konsiderueshme parash depozitohen në llogaritë bankare, në emra shoqërish tregtare, ose të të afërmeve të të dyshuarve.
Një nga skemat komplekse të pastrimit të parave në Shqipëri, përfshin përdorimin e bankave në Shqipëri nga bizneset shqiptare si ndërmjetës për organizatat kriminale ndërkombëtare, si mafia italiane.
Në një rast, një biznes shqiptar bashkëpunoi për t’i dhënë akses mafies ndërkombëtare të integronte të ardhurat në sektorin bankat, për shtresëzimin e transfertave që do të transferoheshin përmes këtij biznesi.”, tha Dumani.
Lajmet Deklarata “bombë” e Altin Dumanit: Bankat të përfshira në pastrim parash. Me pasuritë e krimit blihen apartamente në Tiranë dhe bregdet >> Rahoveci INFO.