CorrWatch zbulon shkelje në procesin e rekrutimit për drejtorin e ASHI: Në listë të ngushtë kandidatë që nuk plotësojnë kriteret
Iniciativa CorrWatch ka vlerësuar se procesi i rekrutimit për pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI) është karakterizuar me shkelje dhe ka kërkuar që procesi të rishqyrtohet.
Në një reagim të të kësaj iniciative thuhet se ata kanë evidentuar se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka vendosur në listë të ngushtë persona që nuk i kanë plotësuar kriteret.
“Iniciativa CorrWatch, konsideron se procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (ASHI), përkatësisht faza e verifikimit paraprak, është karakterizuar me shkelje të Ligjit për zyrtarët publikë, dhe si pasojë e njëjta duhet rishqyrtuar. CorrWatch ka evidentuar se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka vendosur në listën e ngushtë kandidatë që nuk kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpallje, me theks të veçantë në kërkesat ligjore lidhur me përvojën e punës si dhe dëshminë se ndaj kandidatit nuk ka masë disiplinore në fuqi përkundër që në konkurs është përcaktuar në mënyrë eksplicite që aplikacionet e mangëta do të refuzohen”, thuhet në reagim.
CorrWatch thuhet se ka ngritur këto shqetësime edhe te MPB-ja si dhe te komisioni vlerësues dhe ka rekomanduar rishqyrtimin e procesit për shkak të shkeljeve ligjore të identifikuara. Për përkundër kësaj thuhet se procesi ka vazhduar.
“Edhe pas kësaj, institucioni në fjalë ka vazhduar tutje me procesin e rekrutimit (fazën e testimit me shkrim), duke shkelur ligjin dhe duke legjitimuar një proces jo ligjor. Ndonëse në listën aktuale të publikuar nga rezultatet e verifikimit paraprak janë 7 kandidatë të listuar, CorrWatch konsideron që vetëm 5 nga kandidatët plotësojnë në tërësi kriteret e përgjithshme ligjore”, thuhet në reagim.
CorrWatch konsideron që lista e ngushtë e publikuar nuk është e valide dhe duhet rishqyrtuar nga institucioni dhe konsideron që procedimi i mëtutjeshëm pa u trajtuar kjo çështje paraqet shkelje serioze të ligjit.
“CorrWatch i bënë thirrje institucionit në fjalë dhe të gjitha hallkave të tjera përgjegjëse që të reflektojnë mbi këtë proces, dhe rrjedhimisht, ta rishikojnë këtë fazë të procesit”, thuhet në reagim.
Në iniciativën CorrWatch bëjnë pjesë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe INDEP-i.
Lajmet CorrWatch zbulon shkelje në procesin e rekrutimit për drejtorin e ASHI: Në listë të ngushtë kandidatë që nuk plotësojnë kriteret >> Rahoveci INFO.