Çka pas certifikimit të rezultateve?

Pasditen e së mërkurës, Komisioni Qendror ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, duke i hapur rrugë formimit të institucioneve të reja. Certifikimi u bë pas përmbylljes së afateve të ankesave të partive dhe kandidatëve për deputetë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa dhe në Gjykatën Supreme. Njohës të procesit zgjedhor thonë se tash është radha e presidentes Osmani që së bashku me ish-kryetarin e Kuvendit të thërrasin seancën konstituive.
“Tash presidentja Osmani ka 30 ditë kohë që të thërras seancën konstituive të bëhet betimi i deputetëve të zgjidhet kryetari dhe kryesia e Kuvendit dhe të nisin afatet kohore për votimin e qeverisë”, tha për rtv21 Vullnet Bugaqku nga KDI
Certifikimi i rezultateve zgjedhore, ndodhi pas më shumë se një muaji që nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të 9 shkurtit. Përpara certifikimit anëtarët e Qeverisë aktuale të udhëhequr nga Albin Kurti, që kanë fituar vendin në Parlament dhanë dorëheqje. Mandatin e deputetit nuk e mroën kryetarët e komunave të cilët kandiduan në zgjehdje, përfshirë edhe kandidatin për kryeministër Bedri Hamza. Gjykata Supreme, një ditë më parë, hodhi poshtë kërkesën e LVV-së, për anulimin e votave me postë nga diaspora dhe kërkesën për rivotim. Por Vetvendosja tha këtë vendim do ta dërgojë në kushtetuese. Ky veprim sipas Vullnet Bugaqkut, nuk e cenon certifikimin dhe as konstituimin e institiucioneve.
“Jo sepse Kushtetuesja fillimisht nuk dihet se a do ta marr për bazë a do ta pranoj ta trajtojë këtë çështje. Pastaj, nëse e trajton shkaktohen vonesa deri të marr një vendim dhe kësisoj ne rrezikojmë të mbesin gjatë pa Kuvend”, tha Bugaqku.
Lëvizja Vetëvendosje, është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Por sipas rezultateve zgjedhore asnjë subjekt politik nuk mund ta formojë qeverinë e vetme. Në këtë situatë, ish-kryetari i gjykatës së apelit, Hasan Shala, ngre alarmin se në mungesë të numrave të mjaftueshëm për formimin e qeverisë subjektet politike mund ta zvarrisin procesin e formimit të saj, duke mos e bërë konstituimin e Kuvendit.
“Aty tash ka vakum kushtetues. Mund të bëhet betimi edhe kaq qytetarët mbesin pa kuvend funskinal”, tha Hasan Shala, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit.
Pas certifikimit të rezultatit zgjedhor qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti është shndërruar në qeveri në detyrë e cila nuk ka të drejtë të miratojë nisma apo të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare, për të cilat kërkohet ratifikimi i Kuvendit. Ajo nuk mund të miratojë ligje, strategji e koncept-dokumente, nuk mund të propozojë kandidatë për poste të caktuara dhe as të emërojë njerëz në pozita publike./RTV21/21Media