Çfarë parasheh projektligji i ri që lejon importimin e mbetjeve?
Menaxhimi i mbetjeve në vend pritet që t’i nënshtrohet në vijim rregullave të rishikuara që vijnë si efekt i një projektligji të ri.
Pas kalimit të përgjegjësisë së mbetjeve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë tek Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, kjo e fundit ka hedhur për konsultim një draft “”Për menaxhimin e integruar te mbetjeve” që zëvendëson plotësisht ligjin e vitit 2011.
Teksa projekti përmirëson aspekte të termave sa i takon menaxhimit duket se specifikon edhe një kapitull jo të panjohur kur vjen puna tek mbetjet dhe që ka të bëjë me djegien e tyre nga impiante të posaçme siç janë inceneratorët.
Konkretisht drafti përcakton se çfarë quhet incenerim dhe bashkë incenerim.
“Incenerimi i mbetjeve” është çdo proces rikuperimi ose asgjësimi i mbetjeve, në të cilin mbetjet digjen me ose pa rikuperim të nxehtësisë së gjeneruar nga djegia, e cila përfshin djegien nga oksidimi i mbetjeve dhe procese të tjera termike si piroliza, gazifikimi ose proceset e plazmës, për aq kohë sa produktet që rezultojnë nga këto trajtime më pas digjen.
“Bashkë incenerimi i mbetjeve” është çdo operacion të rikuperimit ose asgjësimit të mbetjeve, qëllimi kryesor i të cilit është prodhimi i energjisë ose produkteve materiale dhe në të cilin mbetjet përdoren si lëndë djegëse të rregullt ose plotësuese ose në të cilat mbetjet i nënshtrohen trajtimit termik me qëllim asgjësimin e tyre.
Kjo përfshin djegien nga oksidimi i mbetjeve, si dhe procese të tjera termike, të tilla si piroliza, gazifikimi ose proceset e plazmës, për sa kohë që produktet që rezultojnë nga këto trajtime digjen më pas”, thuhet në projektligj.
Lidhur me menaxhimin e mbetjeve pavarësisht se praktika e djegies së tyre është një nga alternativat e fundit në piramidën e zgjidhjeve, në Bashkimin Europian duket se Shqipëria do të vijojë ta ketë pjesë të saj.
Incenerimi do të funksionojnë në bazë të rregullave që do të përcaktohen nga qeveria.
Konkretisht kjo hallkë sqarohet në nenin 37 të draftit.
“Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit dhe të ministrit përgjegjës për infrastrukturën dhe energjinë, miraton rregullat për incinerimin e mbetjeve, me qëllim reduktimin e emetimeve në atmosferë dhe të aromave, sipas teknikave më të mira të disponueshme.
Këto rregulla përfshijnë:
a) specifikimin e kërkesave për incineratorët dhe bashkincineratorët e mbetjeve;
b) procedurat e dorëzimit dhe pranimit të mbetjeve në incineratorë dhe bashkincineratorë;
c) kushtet operacionale të tyre dhe kriteret e autorizimit për ndryshimin e kushteve operacionale;
ç) procedurat e kontrollit dhe të monitorimit të tyre;
d) respektimin e vlerave kufi të shkarkimeve në ajër të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi dhe procedurat e kontrollit dhe monitorimit të shkarkimeve në ajër;
dh) procedurat e mbylljes dhe të kujdesit të mëtejshëm;
e) detyrimet e raportimit, ruajtjes së të dhënave dhe informimit publik;
ë) kushtet dhe kërkesat e tjera të lejes së mjedisit;
Nuk pranohen për incinerim, mbetjet që janë grumbulluar në mënyrë të diferencuar për qëllim të përgatitjes për ripërdorim dhe riciklim, me përjashtim të mbetjeve që krijohen nga operacionet e mëtejshme të trajtimit të mbetjeve të mbledhura në mënyrë të diferencuar për të cilat operacioni i incenerimit përbën rezultatin më të mirë mjedisor në përputhje me nenin 6 të këtij ligji” thuhet në këtë nen.
Qeveria përmes kontratave koncesionare miratoi tre projekte incenerimi ku më e madhja në Tiranë dhe dy të tjera në Elbasan dhe Fier.
Pavarësisht kundërshtimit për këto projekte, ato u vijuan, dhe prej vitit 2017 e deri në fillim të këtij viti kanë arritur të marrin nga buxheti i shtetit 120 milionë euro teksa problemi i mbetjeve vijon të mbetet evident. Inceneratorët u kthyen gjithashtu në objekt hetimi të SPAK.
Lidhur me inceneratorin e Fierit sot ka disa ish zyrtarë të dënuar teksa për atë të Tiranës ky organ ka mbyllur pjesën e parë të hetimeve dhe ka çuar për gjykim 12 ish-zyrtarë.
Importi i mbetjeve
Drafti ndalet gjithashtu edhe në elementë të tjerë të menaxhimit të mbetjeve dhe që kanë të bëjnë kryesisht me importet apo eksportet e mbetjeve.
Sa i takon të parës drafti parashikon lejimin vetëm të atyre që miratohen nga qeveria në një listë të posaçme dhe ku mbetjet klasifikohen si jo të rrezikshme.
“1. Në territorin e Republikës së Shqipërisë, ndalohet: importi i mbetjeve të rrezikshme; tranzitimi i mbetjeve të rrezikshme; Ndalohet importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje ose asgjësimi në Republikën e Shqipërisë. Në territorin e Republikës së Shqipërisë lejohen të importohen, vetëm disa kategori të caktuara mbetjesh jo të rrezikshme, përveç atyre të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të këtij neni, pas miratimit të kërkesës për import me Vendim të Këshillit të Ministrave. Këshilli i Ministrave me propozim të Ministrit miraton listën e mbetjeve jo të rrezikshme të cilat lejohen të importohen në Republikën e Shqipërisë si dhe rregullat për zbatimin e këtij neni” thuhet në dokument” thuhet ne nenin 73.
Lajmet Çfarë parasheh projektligji i ri që lejon importimin e mbetjeve? >> Rahoveci INFO.