Britani / Hijet e rekrutimit të emigrantëve shqiptarë në industrinë e kanabisit

Emigrantët tërhiqen nga “shtëpitë e barit” pa qenë plotësisht të vetëdijshëm dhe të informuar për rreziqet që ky aktivitet i paligjshëm mbart në Mbretërinë e Bashkuar. Ky material është përgatitur nga gazetarja Klodiana Lala dhe është një bashkëpunim mes Rrjetit BIRN dhe Zërit të Amerikës.

Dhjetëra mijëra shqiptarë kanë emigruar gjatë viteve të fundit në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesa më e madhe janë të integruar mirë, por ka mes tyre edhe që kanë zgjedhur rrugën e fitimit të shpejtë dhe pa mund, duke u bërë pjesë të industrisë së paligjshme të rritjes së kanabisit në ambiente të mbyllura, në të ashtuquajturat “shtëpitë e barit”.

Pamjet e filmuara nga policia britanike tregojnë arrestimin e njërit prej tyre, një burrë që po e quajmë Milo dhe që pranoi të ndante historinë e tij me BIRN me kushtin e ruajtjes së anonimatit.

“Një shtëpi bari për shqiptarët, për ata që e kanë vuajtur është një ferr i vërtetë. Ata që nuk e dinë dhe ikin me atë mendimin leku letër – siç e bënë kuksiani, për një muaj thotë e bëj lekun letër, është një mashtrim dhe reklamë fantazmë”, tregon ai.

Milo nuk përmbush profilin tipik të emigrantit shqiptar që përfshihet në një “shtëpi bari”. Në mes të 50-ave, ai është i martuar dhe ka tre fëmijë. Përpara se të udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar ka punuar në administratën publike dhe është marrë me biznes. Ai udhëtoi drejt Londrës në vitin 2020, me ndihmën e një trafikanti, të cilin e pagoi 16 mijë paund.

“I kam hipur taksisë këtu, kam mbërritur drejt e në Londër. Kemi kaluar tunelin e La Manshit. Jemi futur në bagazh të një ‘Audi A6’, na futi shoferi. Gati 40 minuta kemi qëndruar në bagazh, deri sa kemi arritur në Londër,” tregon ai.

Përmes informacioneve të përcjella nga autoritetet britanike, policia shqiptare ka krijuar një profil për subjektet me risk emigrimi dhe përfshirje në aktivitete të paligjshme. Sipas zv.ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, pjesa më e madhe e tyre janë meshkuj të moshës 20 deri në 45 vjeç.

“Për sa i përket shpërndarjes gjeografike, janë të gjithë zonat, por kryesisht bien në sy zonat me zhvillimit më të ulët ekonomik, si dhe përgjithësisht flasim për kategori që kanë arsim të ulët dhe në ndonjë rast arsim të mesëm,” thotë Lamallari.

Hulumtuesit që e kanë studiuar këtë valë të re migrimi theksojnë se faktorët shtytës janë kompleksë, por logjika e atyre që largohen është e thjeshtë.

“Fillon me ‘unë kam një nevojë, një nevojë për të materializuar ambicien, dua të bëjë diçka në jetë, ose kam një nevojë ekonomike’. Shikoj përreth, dhe shikoj që mundësitë e mia janë tepër të limituara. Unë nuk gjej një mbështetje. Unë nuk besoj tek sistemi shoqëror që më rrethon, qoftë ai politik, qoftë ajo paaftësia e institucioneve. Rrjedhimisht, kjo e vendos individin në një sens dëshpërimi, plogështie edhe mungesë shprese,” shpjegon eksperti i çështjeve të emigracionit, Redion Qirjazi.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Observatori i Migracionit në Universitetin e Oksfordit, rreth 16 mijë shqiptarë aplikuan për azil në Britani në vitin 2022, ku rreth 12 mijë arritën me anije të vogla dhe gomone përmes kanalit të La Manshit. Shumica vijnë nga zona të pazhvilluara të Shqipërisë dhe përballen me vështirësi për t’u integruar në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas ekspertit kriminolog, Fabian Zhilla, të rinjtë shqiptarë me nivel arsimor nën mesataren rekrutohen nga grupet kriminale, pasi e kanë shumë të vështirë të integrohen në mënyrë formale në tregun e punës.

“Grupet kriminale duke pasur të stabilizuar infrastrukturën dhe duke mos pasur kërkesa të larta për aftësitë e tyre, menjëherë i integruan duke i aktivizuar, qoftë në trafikun e kokainës, duke i aktivizuar qoftë edhe në shtëpitë e barit. Ajo që u kërkohet atyre është thjesht besnikëria,” thotë Zhilla.

Biznesi i paligjshëm i “shtëpive të barit”, përfshin përveç kultivuesve, edhe investitorin, agjentë të pasurive të patundshme dhe shpeshherë dhe qiradhënësit, të cilët shpërblehen më një pjesë të drogës së kultivuar.

Për një shtëpi bari me 70 rrënjë duhen investuar rreth 50 mijë paund. Dheu, llambat, filtrat, motorët, tubat dhe pajisjet e tjera, futen në shtëpi në mënyrë diskrete në një kohë kur fqinjët janë larguar për punë. Më shumë se policisë britanike, kultivuesit i druhen bandave që grabisin “shtëpitë e barit”.

Milo tregon një episod përleshjeje, pasi grabitësit e maskuar thyen derën e shtëpisë ku ai qëndronte dhe hynë brenda në kuzhinë me shkopa bejsbolli në duar.

“Hera e parë që përballem me hajdutë, me hajdutë në shtëpi bari. Kap shkopin e bejsbollit, ata përballë andej, ne përballë këtej. Tre ne, katërmbëdhjetë ata. U përleshëm, kuzhinën e kanë shkulur nga vendi, kërciti luga, piruni, pjatat. Një orë lufte me hajdutët, as komshiu nuk ka marrë në telefon, as policia, asnjë gjë,” tha ai.

Në vitin 2023, rreth 1500 qytetarë shqiptarë ishin të burgosur në Mbretërinë e Bashkuar. Shumica e të dënimeve janë të lidhura me shtëpitë e barit. Të rinjtë shpesh tërhiqen në këto veprimtari pa qenë plotësisht të vetëdijshëm për pasojat ligjore dhe personale, të joshur nga premtimet për fitime të lehta dhe një jetë luksoze.

“Shumë të rinj janë të keqinformuar dhe sapo shkojnë atje ndodhen përballë një situate që mendojnë se është fillimi dhe gënjehen me këtë. Në momentin që t’i futesh në botën kriminale pastaj, e ke shumë të vështirë të dalësh,” thotë eksperti Zhilla.

Natyra e fshehtë e rekrutimit të të rinjve në aktivitete kriminale i bënë ato të vështira për t’u zbuluar dhe luftuar nga autoritetet ligjzbatuese. Sipas ekspertëve, është thelbësore që të rritet ndërgjegjësimi mes të rinjve mbi rreziqet dhe pasojat e përfshirjes në veprimtari të tilla, si dhe të ofrohen alternativa të ligjshme dhe të qëndrueshme për të ardhmen e tyre në vend. /VOA

Lajmet Britani / Hijet e rekrutimit të emigrantëve shqiptarë në industrinë e kanabisit >> Rahoveci INFO.

Ballina
RadioDrini
Video
Këmbimi
Moti
error: Ku po shkon !!

Adblock Detected

<script async src="https://pagead2.googlesyndication.com/pagead/js/adsbygoogle.js?client=ca-pub-4893917327478903" crossorigin="anonymous"></script>